Lidhje

Përplasje mes hebrenjve dhe arabëve në Izrael 


Dhuna e vazhdueshme në Gaza dhe Jeruzalem po përhapet edhe në komunitete brenda gjithë Izraelit, me trazirat që shpërthyen në një numër qytetetesh ku hebrenjtë dhe myslimanët bashkëjetojnë. Qyteti Lod afër Tel Avivit përjetoi situatën më të rënduar nga këto përleshje.

Përplasje mes hebrenjve dhe arabëve në Izrael
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:15 0:00

Policia izraelite kujdeset për mbarëvajtjen e një proteste në Lod.

Në këtë qytet jeton një popullsi e përzier ku arabët dhe hebrenjtë bashkëjetojnë. Por së fundmi fqinjët janë kthyer kundër njëri-tjetrit…

"Jetoj këtu prej 12 vitesh. Zakonisht kemi fqinjësi të mirë. Por gjatë ditëve të fundit ata u përpoqën të na vrisnin”, tha Yoel Frankenburg, banor hebre.

“Një natë më parë ata na dogjën shtëpitë, bizneset dhe makinat. U afrohen fëmijëve tanë me armë. Duhet të dëbohen nga këtu. Nëse jo, në Lod do të ketë luftë të madhe”, tha Wahel, Banor arab në Lod.

Brenda dy ditësh u dogjën pesë sinagoga, duke bërë që Presidenti i Izraelit të dënojë këto sulme duke i cilësuar masakra, term i përdorur për sulmet e shekullit 19-të kundër hebrenjve në Evropë.

Një hebre po ngiste makinën rrugëve të Lodit kur një turmë sulmoi automjetin e tij me gurë.

“Isha me fat që nuk kisha ndonjë veturë pas. U ktheva me shpejtësi. Gati sa nuk godita disa njerëz e makina të tjera. Nuk shihja asgjë. Pashë vdekjen me sy. A e dini se çfarë është vdekja?! Njerëz që vërsulen drejt meje duke hedhur gurë”, tha Eden Maltzur, banor hebre në Lod.

Pranë qytetit Bat Yam, një grup hebrenjsh rrethuan një burrë arab dhe e rrahën aq rëndë sa u shtrua në spital. Një hebre që u sulmua në Lod vdiq nga plagët e marra.

Trazirat janë përhapur edhe në qytete tjera në të cilat arabët, që përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë së Izraelit, bashkëjetojnë me hebrenjtë.

Pas tre netë përplasjesh, kryesministri izraelit reagoi.

“Asgjë nuk justifikon linçimin e hebrenjve nga arabët dhe asgjë nuk justifikon linçimin e arabëve nga hebrenjtë. Ne nuk do ta pranojmë këtë. Kjo nuk na përfaqëson, jo kjo dhunë, jo kjo egërsi. Ne do ta kthejmë qeverisjen kudo në qytetet e Izraelit”, tha Benjamin Netanyahu.

Në qytetin Lod, arabët akuzojnë zyrtarët e bashkisë se po mbështesin ekstremistët e armatosur hebrenj, të cilët ata thonë se provokuan situatën.

Udhëheqës fetarë – myslimanë, të krishterë, druz dhe hebrenj – përpiqen të qetësojnë situatën përmes një video mesazhi ku thonë se: Dhuna nuk është feja ime.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG