Lidhje

Blinken: E paqartë nëse Irani do të zbatojë angazhimet mbi programin bërthamor


Iran USA talks over Nuclear program
Iran USA talks over Nuclear program

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha të hënën se heqja e sanksioneve amerikane të vendosura gjatë administratës së ish-Presidentit Donald Trump është "një detyrim ligjor e moral" dhe jo diçka që mund të përdoret si avantazh në negociata. Komentet e tij vijnë ndërsa palët po shqyrtojnë mundësitë e kthimit tek marrëveshja e vitit 2015 mbi programin bërthamor të Iranit.

"Nuk funksionoi për Trumpin, nuk do të funksionojë për ju", shkruante Zarif në Twitter.

Një ditë më parë Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se mbetet e paqartë nëse Irani do të respektojë kufizimet që parashikon marrëveshja mbi programin e tij bërthamor, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të heqin sanksionet ekonomike ndaj këtij vendi.

"Mendoj se Irani, e di se çfarë duhet të bëjë. Ajo që nuk kemi parë ende është nëse Irani është i gatshëm dhe ka vullnetin për të bërë atë që duhet të bëjë", tha zoti Blinken gjatë një interviste për rrjetin televiziv ABC. "Kjo është prova që duhet të kalojë dhe ne ende nuk kemi një përgjigje", shtoi ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar bisedime të tërthorta përmes diplomatëve nga vende të tjera për t’i dhënë një trajtë të re marrëveshjes bërthamore ndërkombëtare të vitit 2015 për të frenuar ambiciet bërthamore të Teheranit. Irani ka thënë që programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

Në vitin 2018 ish-Presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga pakti, duke vendosur sanksione të reja ndaj Iranit në sektorë të tillë si ai i naftës, ai bankar dhe transportit. Por Presidenti Joe Biden po kërkon të ribashkohet me paktin që përfshin Britaninë, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën.

Gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara dhe Irani "kanë bërë përparim" gjatë bisedimeve në Vjenë dhe se në ditët në vijim është planifikuar një raund i pestë negocitash.

Javën e kaluar Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të hiqnin sanksionet tregtare, por më vonë një zyrtar i lartë iranian i kundërshtoi këto komente. Diplomatët evropianë thanë se pjesë e negociatave vazhdojnë të jenë disa çështje të vështira.

Zyrtarët iraninë thonë se në mënyrë që Teherani t’i rikthehet kushteve që parashikon marrëveshja duhet që së pari Shtetet e Bashkuara të heqin sanksionet, por Uashingtoni thotë se Irani fillimisht duhet të nisë zbatimin e detyrimeve në kuadër të paktit.

Irani i ka shkelur vazhdimisht kufizimet e parashikuara në paktit e 2015-s lidhur me pasurimin e uraniumit, por zoti Blinken tha për CNN-in se nëse palët kthehen tek marrëveshja origjinale "atëherë ne mund ta përdorim atë si një themel për të parë se si mund ta bëjmë marrëveshjen potencialisht më të gjatë e më të fortë si dhe të angazhohemi në çështje të tjera, sikurse mbështetja që Irani i jep terrorizmit ... mbështetja e tij destabilizuese ndaj aktorëve të ndryshëm në të gjithë Lindjen e Mesme".

Në Teheran, kryetari i parlamentit, i cili përfaqëson qëndrimet e vijës së ashpër të Iranit, tha se marrëveshjes së përkohshme mes Iranit dhe inspektorëve ndërkombëtarë për të ruajtur imazhet e kamerave të mbikëqyrjes të marra në objektet bërthamore, i ka skaduar afati.

Por Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se të dielën në mbrëmje ishin zhvilluar bisedime mbi këtë marrëveshje me Teheranin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG