Lidhje

Preisdentët Biden dhe Putin, takim në Gjenevë javën e ardhshme


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden takohet me homologun e tij rus Vladimir Putin për herë të parë në Gjenevë të mërkurën mes përkeqësimit të marrëdhënieve midis dy fuqive botërore.

Takimi zhvillohet në orët e fundit të udhëtimit të parë në Evropë të zotit Biden në cilësinë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë me rrjetin televiziv “NBC News”, pjesë nga e cila u transmetuan të premten, zoti Putin tha se lidhjet SHBA-Rusi kanë arritur në "pikën e tyre më të ulët në vitet e fundit".

Shtëpia e Bardhë tha të shtunën se vetëm zoti Biden do të flasë për shtypin pas takimit, duke mos i lënë shteg medias dhe vëzhguesve të tjerë për të bërë krahasime të reagimeve të tyre me daljen e përbashkët të ish-presidentit Trump dhe zotit Putin pas takimit që zhvilluan në vitin 2018 në Helsinki.

Gjatë konferencës së tyre për shtyp pas takimit, zoti Trump ra dakord me zotin Putin dhe jo me agjencitë (amerikane) e tij zbulimit, kur presidenti rus tha se vendi i tij nuk kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 për të ndihmuar që zoti Trump të fitonte.

"Një konferencë individuale për shtyp është formati i duhur për të komunikuar qartë me median e lirë mbi temat që u ngritën në takim - si për fushat ku mund të biem dakord ashtu edhe për fushat ku kemi shqetësime të rëndësishme", tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu tha se pret që takimi Biden-Putin "të jetë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë" dhe se zoti Biden do të ngrejë shqetësimin për sulmet kibernetike bllokuese me origjinë në Rusi, agresionin e Kremlinit ndaj Ukrainës, burgosjen e kundërshtarëve politikë dhe çështje të tjera. Të dy udhëheqësit pritet gjithashtu të flasin për stabilitetin strategjik bërthamor dhe marrëdhëniet e keqësuara mes Rusisë dhe Perëndimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG