Lidhje

Gjykatësi nën sanksione amerikane mund të jetë presidenti i ri i Iranit


Iran Presidential candidate Ebrahim Raisi
Iran Presidential candidate Ebrahim Raisi

Miliona iranianë votuan të premten për të zgjedhur presidentin e ri të vendit një garë që pritet ta fitojë një gjykatës i lartë i vijës së ashpër, i cili është subjekt i sanksioneve amerikane. Zgjedhjet zhvillohen në një kohë vështirësish të mëdha ekonomike e kufizim të lirive të iranianëve, probleme që mund të kenë detyruar një pjesë të popullatës t’i bindet thirrjeve për bojkot të procesit.

Zyrtarët e lartë iranianë kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje të madhe në këto zgjedhje të cilat shihen gjerësisht si një referendum ndaj mënyrës sesi autoritetet e kanë trajtuar situatën ekonomike në vend, shoqëruar me rritje të çmimeve, papunësi të lartë si dhe rënie drastike të vlerës së monedhës vendase.

"U bëj thirrje të gjithëve, pavarësisht pikëpamjeve politike të votojnë", tha pas votimit kreu i gjyqësorit Ebrahim Raisi, kandidati kryesor në garë.

"Ankesat e iranianëve janë reale, por nëse kjo është arsyeja për të mos marrë pjesë (në zgjedhje) kjo është e gabuar", tha ai.

Ndërsa televizioni shtetëror tregonte radhë të gjata në qendrat e votimit në disa qytete, agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve Farsi raportoi se deri në orën 7:30 pasdite kishin votuar 22 milionë ose 37% e zgjedhësve, duke cituar gazetarin e vet. Ministria e Brendshme iraniane tha se nuk mund të konfirmojë shifrat e pjesëmarrjes. Sipas mediave iraniane ministria vendosi për zgjatjen e procesit të votimin deri në mesnatë me orën lokale për shkak të atyre që u thanë se ishin “një numër i madh votuesish që prisnin në qendrat e votimit”.

Pasi votoi në kryeqytetin e vendit Teheran, Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei u bëri thirrje iranianëve të ndjekin shembullin e tij, duke shtuar se "çdo votë ka rëndësi".

Ebrahim Raisi, 60 vjeç, mbështetet nga “skifterët” e sigurisë në përpjekjen e tij për të pasuar Hassan Rouhani-n, i cili i ka kryer të dyja mandatet që parashikon kushtetuta si maksimumi që një zyrtar mund të shërbejë në këtë detyrë.

Mbështetur nga Trupat e Fuqishme të Gardës Revolucionare, zoti Raisi, një aleat i ngushtë i zotit Khamenei që është zotuar të luftojë korrupsionin, është subjekt i sanksioneve amerikane lidhur me përfshirjen e tij të dyshuar në ekzekutimin e të burgosurve politikë dekada më parë.

Shumë kandidatë për president ose u tërhoqën nga gara ose u skualifikuan para votimeve të së premtes.

Të mërkurën, dy kandidatë të vijës së ashpër u tërhoqën nga gara, duke i dhënë mbështetjen e tyre Ebrahim Raisit, një tjetër kandidat i vijës së ashpër dhe kreu i gjyqësorit iranian.

Në zgjedhje garon gjithashtu ish-shefi i Bankës Qendrore Abdolnasser Hemmati, një kandidat reformist.

Analistët politikë thonë se fituesi i mundshëm do të jetë 60 vjeçari Ebrahim Raisit, i cili ka mbështetjen e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei. Por përfshirja e tij në të kaluarën në raste të shkeljes së të drejtave të njeriut do ta bënte atë një president problematik për Perëndimin thotë analisti Behnam Ben Taleblu, i cili punon për fondacionin në Mbrojtje të Demokracive me bazë në Uashington.

"Ai është për fat të keq më i famshëm për mbikëqyrjen e pamëshirshme të të ashtuquajturit komisioni i vdekjes në fund të viteve 1980, i cili zbatoi urdhrin e Ajatollah Khomeinit, që çoi në vrasjen e mbi 5,000 të burgosurve politikë në Teheran", tha zoti Taleblu.

Udhëheqësi suprem ka inkurajuar 59 milionë iranianët me të drejtë vote të marrin pjesë në votime, duke i paralajmëruar ata për një komplot të huaj për të minuar procesin. Të gjithë kandidatët për president u miratuan dhe u verifikuan nga Këshilli Kushtetues i Iranit.

Irani është tronditur nga një seri ngjarjesh të cilat kanë formësuar peisazhin zgjedhor. Vrasja e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në janar të vitit 2020 në një sulm amerikan me dron nxiti zemërim të gjerë publik. Disa ditë më vonë, forcat iraniane rrëzuan aksidentalisht një avion ukrainas me pasagjerë, që rezultoi në vdekjen e të 176 personave në bordin e tij. Incidenti nxiti protesta anti-qeveritare në disa qytete.

Ka pasur një cikël ngjarjesh të ndërlidhura që kanë zbehur ndjenjat popullore, përfshirë protestat e nëntorit të vitit 2019, për rritjen e çmimit të naftës të cilat u shtypën brutalisht. Pra iranianët e zakonshëm nuk janë posaçërisht të prirur për të votuar”, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës Sanam Vakil, nënkryetar i programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në organizatën “Chatham House” me qendër në Londër.

Që pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, Teherani ka rritur në mënyrë të konsiderueshme pasurimin e uraniumit. Besohet se Irani ndodhet vetëm disa muaj larg prodhimit të materialeve të mjaftueshme për prodhimin e një arme bërthamore. ShBA po shqyrton mundësitë për rikthim tek marrëveshja me Iranin, por me kushtin që Teherani të ndalë pasurimin e uraniumit. Por Irani thotë se ShBA duhet që fillimisht të pezullojë sanksionet. Ndërkohë në Vjenë vazhdojnë ende bisedimet jo të drejpërdrejta mes palëve.

Të gjithë kandidatët presidencialë të Iranit mbështesin negociatat për të ringjallur marrëveshjen bërthamore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG