Lidhje

Ngjarja në Velipoje e aksidentet rrugore, reagon ministri Çuçi


Në Shqipëri, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi reagoi sot pas dy ngjarjeve që tronditën ditët e fundit opinionin publik, ku një aksident rrugor në aksin Fier Vlorë dhe një grindje që përfundoi në përleshje me armë zjarri në Velipojë i morën jetë 8 personave.

Ministri Çuçi u shpreh se "të dyja rastet fatale kërkojnë një reflektim nga të gjithë, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Policinë e Shtetit", ndërsa kritikoi gjykatat dhe prokurorinë se në disa raste po minojnë punën e policisë. Ai përmendi tre raste të ndodhura vetëm në Qershor ku persona të kapur ne flagrancë për armëmbajtje pa leje, janë lënë me masë lehtësuese në shtëpi. “Ne kemi shtrënguar masat kundër armë mbajtjes pa leje, ku vetëm këtë muaj, pra në Qershor, në tri raste si ai i Shkodrës, Vlorës dhe Fierit, janë ndaluar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit për armëmbajtje pa leje, tri shtetas, madje në një rast arma e zjarrit që mbahej pa leje kishte fishek në fole gati për qitje. Por fatkeqësisht, prokurorët dhe gjyqtarët, si rasti i prokurores Edlira Cufi në Shkodër, apo dyshja e prokurores Elona Alvora dhe gjyqtari Albert Spiro në Vlorë, si dhe prokurori Erind Rahovica dhe gjyqtari Pirro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit, megjithëse minimumi i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie”, deklaroi ai.

Ministri Çuçi përmendi dhe “vendimet e disa gjykatësve të tjerë, për aksidentet rrugore me pasojë vdekjen apo plagosjen, janë në gjykimin tonë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit. E pra, këto janë fakte që dëshmojnë qartë nevojën për një reagim të shpejtë dhe energjik nga ana e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe strukturave të reja drejtuese të sistemit gjyqësor, ndaj individëve papërgjegjshmërisht të rrezikshëm për shoqërinë tonë".

Sipas tij “këto sa përmenda nuk janë ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të pavarura, por shembuj ulëritës të asaj se si nuk duhet të jetë forca e ligjit ndaj atyre që e shkelin atë”.

Por nga ana e tij Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, u shpreh i keqardhur se “mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe të institucioneve të pavarura të drejtësisë po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive”, u shpreh ai në një reagim zyrtar, duke shtuar se “vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor”.

Zoti Metani, saktësoi se “Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është e hapur për të pranuar nga çdo institucion ankesa në lidhje me sjelljen e magjistratëve. Në rast të konstatimit të sjelljeve të cilat përbëjnë përgjegjësi disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë për sa ka vepruar deri më tani, në rastet kur ka konstatuar sjellje apo akte të cilat përbëjnë shkelje disiplinore ka propozuar marrjen e masave të nevojshme disiplinore”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG