Kërkesa për kurse verore ka arritur një nivel rekord, pas një viti shkollor të pashembullt, kur orët e mësimit u zhvilluan jo në klasa, por nga shtëpitë si rezultat i pandemisë. Numri i madh i nxënësve që kërkojnë ndihmë në përgatitje për vitin e ri shkollor ka nxjerrë në pah numrin e kufizuar të mësuesve që janë të gatshëm të punojnë gjatë pushimeve të verës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lesia Bakalets njofton:
Djali i Bryan Walsh-it është në shkollë fillore në Arlington të shtetit Virxhinia. Prindërit e tij menduan se tetë-vjeçari do të përfitonte nga një mësim-dhënie e individualizuar.
“Atij iu ofruan shërbime të ndryshme përmes shkollës si terapi e të folurës, terapi fizike dhe ndihma të tjera gjatë vitit shkollor,” tregon zoti Walsh.
Në seksionin arsimor të Arlingtonit fëmijët që kanë nevoja speciale mund të vazhdojnë mësimin gjatë verës. Por pasi zoti Walsh e regjistroi djalin për kurse verore, i telefonuan nga shkolla për ta informuar se nuk kishte më vende bosh.
“Pasi më thanë se nuk mund të përmbushnin prenotimin për klasat e djalit, m’u desh të gjeja kurse dhe kampe të tjera verore për muajin korrik, pasi çdo gjë që kisha prenotuar ishte mbushur që më parë,” thotë zoti Walsh.
Administratorët e arsimit shpjegojnë se nuk kanë një numër të mjaftueshëm mësuesish. Gjatë verës mësuesit janë zyrtarisht me pushime dhe nuk mund të detyrohen të punojnë. Disa prej tyre zgjedhin të punojnë për të ardhura shtesë.
“Nuk ndodhi për faj të mësuesve. Mësuesit janë treguar heronj pasi punuan fort për të mbështetur fëmijët në punën mësimore, por edhe nga ana emocionale e sociale. Tani kanë nevojë për pushime,” thotë Bridget Loft me Seksionin e Arsimit të komunës së Arlingtonit.
Edhe komuna të tjera kanë ndeshur probleme të ngjashme si rezultat i kërkesës së lartë për kurse verore nga ndërlikimet që solli pandemia.
“Këtë vit kurset verore janë bërë pjesë e vitit shkollor pasi nxënësit duan të kapërcejnë boshlleqet e shkaktuara gjatë mësimeve të zhvilluara nga shtëpia. Për herë të parë po hasim programe verore në këto përmasa,” thotë Dan Domenech me Shoqatën e Seksioneve të Arsimit.
Qeveria federale po përpiqet të ofrojë ndihmë përballë kësaj kërkese të rritur.
“Një fond prej 122 miliardë dollarësh do të përdoret për të mbështetur arsimin publik nga kopshti deri në fund shkollës së mesme. 30 miliardë dollarë mund të mbështesin programet verore,” thotë Aaron Dworkin i Shoqatës Kombëtare të Kurseve Verore.
Zoti Dworkin thotë se kurset verore duhet të reformohen për t’u bërë më efektive dhe më interesante për fëmijët, siç janë disa kampe ekzistuese.
Këta fëmijë shprehen shumë të kënaqur me kampet verore “Horizons” në Uashington, të themeluara për fëmijë nga familje me të ardhura të ulëta.
“Kemi tre mësues në një klasë me 15 nxënës që çdo fëmije t’i jepet vëmendje e individualizuar. Nxënësit nuk qëndrojnë pasivë duke mbajtur shënime por janë të angazhuar dhe mësojnë në mënyrë aktive. Gjatë një pjese të mirë të kampit fëmijët mësojnë të notojnë,” thotë Mike Di Marco, punonjës i kampit.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Kurseve Verore fëmijët përfitojnë nga këto kurse.
Në Pensilvani, mësuesi Matthew Hathaway krijoi një program veror të titulluar “Mësuesit në Parqe” kur seksioni lokal i arsimit nuk arriti të akomodojë të gjithë nxënësit që donin të ndiqnin kampe verore.
“Takohesha me fëmijët në shtëpitë e tyre, u ofroja kurse në grupe nga gjashtë vetë. Pastaj shkonim tek një park lokal dhe bënim ushtrime fizike. Ja, kështu lindi programi “Mësuesit në Parqe”. Tani ky program është zgjeruar dhe operon edhe në zona të tjera”.
Shkollat publike e kanë të vështirë për momentin të gjejnë mësues të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat për kurse verore, por mësuesi Hathaway është zotuar të ndihmojë sa më shumë fëmijë që të mundet.