Lidhje

IKSHPK: Identifikohen sërish baktere në mostrat e ujit në Deçan


IKSHPK: Identifikohen sërish baktere në mostrat e ujit në Deçan
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë publike në Kosovë tha të premten se ka identifikuar sërish disa baktere të llojit E.coli që mund të kenë shkaktuar ndotjen e ujit në komunën e Deçanit, ndërsa një burim të ujit të kësaj komune e shpalli të papijshëm.

Në një njoftim për media të këtij instituti thuhet se “nga testimet e dërguara në laboratoret jashtë Kosovës, janë identifikuar tri lloj bakteresh, të llojit që çojnë në diarre”.

Deçani shpalli të martën gjendjen emergjente pasi më shumë se një mijë qytetarë të kësaj komune kërkuan ndihmë mjekësore përgjatë disa ditëve me shenja helmimi. Dyshimet e para u hodhën te furnizimi me ujë nga kompania e ujësjellësit “Hidrodrini”.

Kompania publike e ujësjellësit “Hidrodrini” e menaxhon ujin në nivel rajonal, përfshirë komunën e Deçanit. Kjo kompani tha sot se përmes rrjeteve sociale se bazuar në analizat e datës 16 korrik të kryera nga Instituti nuk ka tregues që uji i pijshëm nga sistemi i këtij ujësjellësi, të ketë qenë shkaktar i shqetësimeve shëndetësore dhe simptomave që janë paraqitur nga banorët e zonave të prekura.

Çështja e menaxhimit të ujësjellësit u përfshi në debat të premtën në parlamentin e Kosovës.

Ministri i Mjedisit, planifikimit hapësinor dhe infrastrukturës, Liburn Aliu tha se nga inspektimi në terren del se sistemi i ujësjellësit i kompanisë rajonale “Hidrodrini” nuk është i mbrojtur.

Pusetat janë të qasshme, rezervuari mund të jetë lehtë i qasshëm, mënyrën se si është bërë klorizimi i ujit është bërë në mënyrë manuale, rrjedhimisht i gjithë sistemi paraqet një brishtësi të madhe sa i përket sigurisë. Prandaj nëse e shohim sistemin e ujësjellësit në vendin tonë dhe sidomos në rastin në fjalë duhet ta kemi të qartë që lehtë ky sistem është i komprometueshëm, lehtë mund që një vërshim uji të krijojë situata të tilla edhe në të ardhmen”, tha ai.

Ministri Aliu tha se sistemi i ujësjellësit për disa fshatra të Deçanit nuk kanë leje ujore dhe se ndërtimi pa planifikim i ujësjellësve mbetet shqetësim.

Në vend se të krijohen ujëmbledhës dhe të menaxhohet uji duke krijuar liqe artificial dhe ujëmbledhësit prej të cilëve pastaj furnizojnë gjithë popullatën me ujë, këtu kemi në mënyrë ad-hoc, piketime të veçanta të burimeve me gypa të veçantë për të dërgu deri tek një lagje e përcaktume. Kur kemi sisteme të tilla ka me pas difekte si ky edhe në të ardhmen”, tha ai.

Ministri Aliu tha se qeveria do të inspektojë të gjithë ujësjellësit në Kosovë për të parë gjendjen e tyre. Ai tha se ndërtimet pa planifikim të ujësjellësve ka çuar në situata të tilla sikurse në komunën e Deçanit, të cilat janë të rrezikuara nga ndotja.

Autoritetet lokale në Deçan thonë se situata ka filluar të përmirësohet dhe se është ulur edhe numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG