Lidhje

Rritje e lehtë e rasteve me COVID-19 në Tetovë


Komisioni për sëmundjet ngjitëse ka konstatuar një rritje të lehtë të numrit të të prekurve me koronavirus në Tetovë dhe në Shkup. Si shkas i ngritjes së numrit të të infektuarve në Tetovë, Komisioni thekson mosrespektimin e masave dhe protokolleve gjatë organizimit të festave familjare, apo dasmave në ambiente të mbyllura.

Megjithatë, gjendja vlerësohet e qëndrueshme dhe pa trysni ndaj spitaleve. Ministria e Shëndetësisë tani për tani nuk rekomandon masa më të ashpra.

Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar disa raste me variantin Delta, teksa autoritetet thonë se po i mbikqyrin këta pacientë, ndërkohë që nuk jepen të dhëna se sa prej tyre janë shtruar në spital dhe sa të tjerë mbahen në karantinë. Aktualisht janë 221 raste aktive prej rreth 156 mijë të diagnostikuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut.

Prej të hënës fillon vaksinimi i grupmoshës më të re, përkatësisht i fëmijëve nga 12 në 16 vjeç. Një mijë e tetëqind persona të kësaj grupmoshe kanë shprehur interesim për t’u imunizuar kundër koronavirusit. Atyre do t’u jepet vaksina Phizer.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG