Lidhje

Një aktivist bjellorus gjendet i varur në një park në Kiev


KIEV - Një aktivist bjellorus u gjet i vdekur në një park pranë shtëpisë së tij në Kiev të martën, një ditë pasi u raportua i zhdukur, tha policia ukrainase.

Vitaly Shishov, i cili drejtonte një organizatë me bazë në Kiev që ndihmon bjellorusët të largohen nga persekutimi, u raportua nga partneri i tij si i zhdukur të hënën pasi nuk u kthye në shtëpi.

Autoritetet kanë hapur hetime nën dyshime për vrasje, dhe nuk përjashtojnë mundësitë e një vrasjeje të maskuar si vetëvrasje.

"Qytetari bjellorus Vitaly Shishov, i zhdukur dje në Kiev, u gjet i varur sot në një nga parqet e Kievit, jo shumë larg vendbanimit të tij," thuhet në një deklaratë të policisë.

Ukraina, Polonia dhe Lituania janë bërë strehë për bjellorusët që largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar fushatës shtypëse të Presidentit Aleksandër Lukashenko pas zgjedhjeve të debatueshme të vitit të kaluar.

Zoti Shishov drejtonte grupin Shtëpia Bjelloruse në Ukrainë (BDU), e cila ndihmon bjellorusët të gjejnë strehim, punë dhe jep këshilla ligjore.

Organizata tha të hënën se nuk ishte në gjendje të kontaktonte zotin Shishov. Thuhet se Shishovi ishte larguar nga banesa e tij në orën 9 të mëngjesit për të vrapuar dhe supozohej të kthehej pas një ore.

Autoritetet bjelloruse i kanë cilësuar protestuesit anti-qeveritarë si kriminelë, apo revolucionarë të dhunshëm të mbështetur nga Perëndimi, ndërsa veprimet e agjencive të zbatimit të ligjit kundër tyre si të përshtatshme dhe të nevojshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG