Lidhje

Atletja bjelloruse mbërrin e sigurtë në Vjenë


Atletja bjelloruse Krystsina Tsimanouskaya fluturoi sot nga Tokioja në Vjenë nën mbrojtjen diplomatike të Polonisë, më pak se 72 orë pasi refuzoi urdhrin e ekipit të saj për t’u kthyer në atdhe. Ajo mbërriti e sigurtë në Vjenë pasi tha se ndihej e kërcënuar për sigurinë e sasj, në një vend që udhëhiqet nga një qeveri autoritare. Pasi kaloi dy netë në ambasadën polake, 24 vjeçarja u largua nën masa të rrepta sigurie.

Atletja bjelloruse largohet nga Tokio nën mbrojtjen diplomatike të Polonisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:36 0:00

Atletja bjelloruse, Krystsina Tsimanouskaya, u largua të mërkurën nga Japonia nën mbrojtje diplomatike të Polonisë, vazhdimi i një drame diplomatike të shkaktuar nga një përplasje publike mes sportistes dhe ekipit të saj kombëtar në Lojrat Olimpike të Tokios.

Atletja mbërriti në aeroportin Narita nën masa të rrepta sigurie, një ditë pasi deklaroi se ajo do të ndëshkohej nga qeveria autokrate, nëse kthehet në Bjellorusi.

Ndryshe nga ç’ishte planifikuar, atletja fluturoi fillimisht drejt Vjenës.

Një anëtar i komunitetit bjellorus që është në kontakt me zonjën Tismanouskaya tha se diplomatët ndryshuan itenerarin e fluturimit të saj për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Edhe bashkëshorti i atletes thotë se është detyruar të largohet nga Bjellorusia. Ai tha se u nis me makinë drejt Kievit mbrëmjen e së dielës ndërsa pret të takohet me bashkëshorten në Varshavë.

Atletja 24 vjeçare kërkoi strehim tek ambasada e Polonisë në Tokio pasi udhëheqësit olimpikë të Bjellorusisë provuan ta kthejnë në shtëpi pa vullnetin e saj, një ditë para se ajo të garonte në stafetën e 200 metrave.

Ajo tha se refuzimi i saj për pjesëmarrjen në një tjetër garë, për të cilën nuk ishte e përgatitur dhe kritikat për neglizhencë ndaj udhëheqësve të klubit, shkaktuan përjashtimin e saj, çka shkaktoi një reagim të ashpër kundër sportistes në mediat shtetërore në Bjellorusi, ku qeveria shpesh godet zërat kritikë.

Komiteti Ndërkombëtar Olimpik njoftoi të mërkurën se dy udhëheqësit e ekipit bjellorus që provuan ta largojnë vrapuesen nga Lojrat e Tokios do të merren në pyetje, në kuadër të fillimit të një procesi hetimor.

“Dje ne kemi vendosur që të hapim një hetim zyrtar për rastin e Krystsina Tsimanouskayas, të udhëhequr nga administrata e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Sot kemi marrë një raport me shkrim, të cilin do ta vlerësojmë. Një zhvillim tjetër është ngritja e një komisioni disiplinor për të vërtetuar faktet pasi të kemi dëgjuar dy zyrtarët që janë përfshirë në incident. Këto janë të rejat që mund të ndajë sot”, tha Mark Adams, zëdhënës i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik.

Ky incident riktheu dhe një herë vëmendjen në Bjellorusi, vendi ku qeveria autoritare ka vënë në shënjestër këdo që ka shprehur pakënaqësi për zgjedhjet presidenciale të para një viti, të cilat sipas opozitës ishin të manipuluara dhe që nxitën një valë masive dhe të paparë protestash.

Komiteti Olimpik Kombëtar i Bjellorusisë drejtohet nga djali Presidentit Alexander Lukashenko, Viktor Lukashenko.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG