Lidhje

Ritet numri i afganëve që arrijnë në Turqi si rezultat i dhunës nga talebanët


Intensifikimi i konfliktit të armatosur mes talebanëve dhe forcave qeveritare afgane ka shkaktuar një fluks të ri refugjatësh afganë në Turqi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Arif Aslan njofton nga provinca Van e Turqisë.

Ritet numri i afganëve që arrijnë në Turqi si rezultat i dhunës nga talebanët
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00

Shump njerëz kanë mbërritur në provincën Van të Turqisë pasi kishin ecur për mbi 20 ditë të nxehta vere nga Afganistani dhe Irani.

Ata janë mes mijëra afganëve që kohët e fundit u larguan nga vendi i tyre për shkak të intensifikimit të konfliktit të armatosur midis qeverisë afgane dhe talebanëve.

"Ne i kalojmë netët në male dhe gjatë ditës duhet të ecim nën diell pa ushqim dhe ujë. Këmbët i kemi me flluska. Është ftohtë gjatë natës dhe nxehtë gjatë ditës", thotë Sakineh, një refugjate afgane.

Zyrtarët turq në provincën Van thonë se kanë regjistruar më shumë se 34,000 refugjatë që kanë hyrë nga Irani, shumica e tyre afganë.

Gati 1,456 refugjatë dhe 11 kontrabandistë janë ndaluar për kalim të paligjshëm të kufirit.

“Refugjatët që kapen duke kaluar kufirin shpesh kthehen mbrapsht nga rojet kufitare turke. Ky është një veprim i paligjshëm”, thotë Bahtyar Kandeger nga Komisioni për Imigracionin dhe Refugjatët i Shoqatës së Avokatëve të provincës Van.

Pas kalimit të kufirit dhe hyrjes në Turqi, policia ose xhandarmëria që i ka kapur njerëzit duhet t'i regjistrojë ata në sistem pas identifikimit të tyre dhe marrjes së shenjave të gishtërinjve.

Zëri i Amerikës ka mësuar se kontrabandistët shpesh i transferojnë afganët gjatë natës përmes rrugëve të rrezikshme nëpër krahinën e Baluchistanit në Pakistan, në Iran dhe më pas në Turqi. Fëmijët janë më të pambrojturit në këtë udhëtim drejt destinacionit përfundimtar, Evropës.

“Ecëm gjithë natën pa e ditur se ku po shkonim. Ecëm nëpër shkretëtirë dhe rrugë. Fëmijët u frikësuan nga qentë endacakë, të cilët na ndoqën dhe pothuajse na kafshuan. Shkuam në një xhami, fjetëm për dy orë dhe pastaj vazhduam rrugën. Zoti na ndihmoftë”, thotë Riza, një refugjat afgan.

Afro 3 milionë refugjatë dhe azilkërkues në botë janë afganë. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin vlerëson se numri i afganëve që kalojnë kufirin ilegalisht është rritur me 30 deri në 40 për qind që nga maji, kur forcat ndërkombëtare filluan të tërhiqen nga Afganistani dhe talebanët intensifikuan sulmet e tyre.

“Talebanët sulmuan fshatin tonë. Na dogjën të gjitha shtëpitë dhe gjithçka. Ata dogjën fermat tona dhe të gjitha produktet tona, përfshirë pemët dhe arat me drithëra", thotë Sakineh, një refugjat afgane.

Fluksi i ri i refugjatëve pason vendimin e Shteteve të Bashkuara për të tërhequr trupat nga Afganistani deri më 31 gusht.

Me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe zgjerimin e territorit nga talebanët, mbetet e paqartë nëse militantët do të bien dakord për një zgjidhje paqësore të konfliktit me qeverinë afgane.

XS
SM
MD
LG