Lidhje

Sulmi me raketë në aeroportin e Kabulit nuk i ndal përpjekjet e SHBA-së për evakuim


Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se operacionet në aeroportin e Kabulit në Afganistan po "vazhdojnë pandërprerje" edhe pas një sulmi me raketa.

Sipas dëshmitarëve bëhej fjalë për disa raketa. Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se ato ishin asgjesuar nga një sistem i mbrojtjes raketore.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha në një deklaratë se Presidenti Joe Biden ishte informuar rreth sulmit dhe se kishte "ripërsëritur urdhrin për dyfishim të përpjekjeve për të bërë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur forcat amerikane në terren".

Shtetet e Bashkuara po punojnë për të përfunduar evakuimet nga Kabuli para 31 gushtit, që shënon dhe afatit e fundit për qëndrimin e forcave amerikane në Afganistan. Evakuimet vazhdojnë mes përkeqësimit të situatës së sigurisë, përfshirë një sulm vetëvrasës jashtë aeroportit të enjten, i cili shkaktoi vdekjen e të paktën 169 civilëve afganë si dhe 13 ushtarëve amerikanë.

Ndërkohë ushtria amerikane po heton rreth njoftimeve për civilë të vrarë pas një sulmi ajror të dielën, që u tha se eliminoi "një kërcënim të afërt të ISIS-K (Shteti Islamik në Khorasan) ndaj aeroportit ndërkombëtar Hamid Karzai".

"Do të na trishtonte thellësisht çdo humbje e mundshme e jetëve të pafajshme", tha kapiten Bill Urban, zëdhënësi i CENTCOM (Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara), në një deklaratë të dielën në mbrëmje.

Zoti Urban tha se pasojat e sulmit ajror ishin ende duke u vlerësuar dhe se shpërthimet dytësore “mund të kenë shkaktuar viktima të tjera”.

Është e paqartë se çfarë mund të ketë ndodhur dhe ne jemi duke hetuar”, tha ai.

Sipas një njoftimi të gazetës “New York Times”, sulmi me dron ose shpërthimet dytësore, shkaktuan vdekjen e nëntë civilëve, mes tyre fëmijë.

Bie niveli i evakuimeve

Ndërsa afati për tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga Afganistani po afron Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Filippo Grandi tha të hënën se populli afgan “ka nevojë për qeveri, organizata humanitare e njerëz të zakonshëm, për të qëndruar me ta, në rrugën e duhur".

Sipas Shtëpisë së Bardhë prej fundit të korrikut deri sot (e hënë) janë evakuuar nga Kabuli rreth 122,000 persona.

"Dy ditët e fundit janë periudha më rrezikshme për shkak të një misioni jashtëzakonisht të rrezikshëm", tha të dielën Sekretari i Shtetit Antony Blinken për rrjetin televiziv ABC.

Senatori republikan Ben Sasse, kritikoi operacionet e evakuimit të administratës Biden.

Qartësisht nuk ka asnjë plan dhe nuk ka pasur një të tillë”, tha ai për ABC-në.

Në një intervistë për CNN zoti Blinken tha se rreth 300 shtetas amerikanë po presin ende të evakuohen nga Afganistani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG