Nemat Ullah Haghori nga Afganistani është baba i shtatë fëmijëve. Pasi mori një Vizë Speciale Emigrimi, ai kishte blerë bileta avioni që të udhëtonte më 16 gusht drejt Shteteve të Bashkuara. Por, një ditë para udhëtimit të tyre, qeveria afgane u rrëzua. Familja mbërriti më në fund në Amerikë gati dy javë më vonë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anush Avetisyan u takua me ta në Uashington dhe na sjell historinë e tyre.
Mendimet e Nemat Ullah Haghorit vazhdojnë të rikthehen në Afganistanin e 15 gushtit, kur qeveria u rrëzua dhe talebanët pushtuan vendin e tij.
Përfitues i Vizës Speciale të Emigrimit (SIV) për në Shtetet e Bashkuara, ai kishte planifikuar të largohej nga Afganistani me familjen e tij vetëm një ditë pas, por talebanët anuluan fluturimin e tyre.
"Ishte një ditë shumë e keqe...", kujton ai.
Ai kaloi 12 ditë dëshpëruese dhe traumatike në Kabul përpara se të largohej nga vendit.
“Kur erdha në aeroportin e Kabulit në orën 11 të darkës me familjen time, nuk e prisja që do të kishte kaq shumë njerëz. Pashë tre fëmijë të vdisnin sepse kishte shumë njerëz. Një zonjë gjithashtu kishtehumbur jetën…”, thotë ai.
Nemat Haghori bëri disa filmime. Temperatura përvëluese, turma njerëzish, panik dhe ulërima. Shumë u plagosën nga telat me gjemba të vendosur mbi rrethimin e aeroportit të Kabulit.
“E gjithë familja ime ishte duke qarë sepse të gjithë ishin të lënduar. Vajza dhe djali im, po ecnin mbi tela. Pa këpucë, me këmbë të zhveshura… ”, thotë ai.
Kur familja mbërriti në hyrje të aeroportit, zoti Haghori duhej të linte një pjesë të familjes së tij atje dhe të rikthehej në detin e njerëzve për të kërkuar për dy djemtë e tij dhe vajzën nëntëvjeçare që humbën në turmë.
"Mendova se ndoshta ajo vdiq. Pasi tashmë kisha parë tre fëmijë të vdekur. Gjashtë orë, gjashtë orë - dhe i gjeta dy djemtë e mi. Dhe kur pashë vajzën time të gjallë, unë po qaja. Isha shumë i lumtur, falenderoja Zotin që ajo ishte gjallë”, thotë ai.
Kur zoti Haghori gjeti djalin e tij gjashtëmbëdhjetë vjeçar, djali ishte pa ndjenja.
“Ai ishte rrëzuar përtokë. E tërhoqa me vete dhe e largova nga njerëzit. Njerëzit ishin më të gjatë se ai. Ai ishte i vogël, qëndronte pas njerëzve. Nuk kishte ajër dhe dielli ishte i fortë… Kështu që e largova dhe i dhashë ujë. Pas pak filloi të merrte frymë”, thotë ai.
Zotit Haghori iu deshën katër ditë për të hyrë brenda në aeroport. Deri atëherë, gruaja e tij dhe katër nga fëmijët arritën të hipnin në një aeroplan dhe udhëtuan, së pari për në Katar, dhe më pas në SHBA. E gjithë familja u ribashkua më në fund 12 ditë më vonë në Uashington, ku ata po qëndrojnë në një hotel ku refugjatë të tjerë afganë presin akomodim më të përhershëm. Të tjerë janë dërguar në baza ushtarake në Virxhinia, Teksas, Uiskonsin dhe Nju Xhersi.
Fëmijët nuk duan të flasin për atë që ndodhi në atdhe, por presin me gëzim një jetë të re në Shtetet e Bashkuara.
"Vërtet dua të filloj të luaj futboll me vëllezërit e mi, të shkoj në shkollë dhe të gjej ca miq! Sepse jam vërtet vetëm këtu... ", thotë Ab Mobin.
Ndërsa presin akomodimin, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin i ka siguruar zotit Haghori dhe familjes së tij ushqimin. Vullnetarët dhe vendasit u sjellin sende në hotel. Shumica e refugjatëve mbërritën në Shtetet e Bashkuara pa marrë asgjë me vete.
Zoti Haghori është i shqetësuar për të ardhmen e tyre dhe se talebanët do të dëmtojnë të afërmit e tij që janë ende në Afganistan.
“Ata e njohin babanë tim; ata i njohin vëllezërit e mi. Unë u largova nga Afganistani dhe pas kësaj ata po kërkonin familjen time. Në vendin tim, ata do të marrin babanë tim, vëllezërit e mi”, thotë ai.
Zoti Haghori thotë se nga trazirat u lënduan më shumë fëmijët. E fillojnë çdo ditë tani me një shëtitje së bashku. Marrin frymë. Bisedojnë. Mësojnë të jetojnë pa frikë. Zoti Haghori dhe familja e tij u zhvendosën në Kaliforni ku do të fillojnë të ndërtojnë një jetë të re. Dhe gjëja kryesore që zoti Haghori përpiqet t'u mësojë fëmijëve të tij, është se më e keqja është lënë pas.