Lidhje

Varësia nga droga shkatërron familjet afgane


Mes sfidave të shumta me të cilat përballet Afganistani, më e qendrueshmja është roli si prodhuesi kryesor i opiumit në botë. Rritja, kultivimi dhe shitja e produkteve të drogës ndërthuret me ekonominë dhe kulturën e Afganistanit. Por ajo ka krijuar një krizë të varësisë nga opiumi. Para tërheqjes së trupave amerikane, shërbimi afgan i Zërit të Amerikës udhëtoi në fshatra dhe qytete, duke dëshmuar se sa e rëndë është situata. Kjo është pjesa e parë e një serie reportazhesh mbi “Krizën e Varësisë nga Droga në Afganistan”.

Varësia nga droga shkatërron familjet afgane
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:15 0:00

Kështu përfundojnë ndonjëherë njerëzit në Afganistan: nën kontrollin e drogës.

Punonjësit e kujdesit shëndetësor i dërgojnë përdoruesit e drogës në qendra për trajtimin nga varësia prej saj.

Tek ura “Pul-e-Sokhta” në Kabul, punonjësit shëndetësorë bëjnë punën e vështirë të largimit të trupave të pajetë nga rruga.

Nëse nuk u gjenden familjet, ata vendosen në një varr pa emër. Në Afganistan është turp të varrosesh pa njerëz që mbajnë zi.

Jetët e humbura u kujtojnë mjekëve se jo të gjithë mund të shpëtohen.

“Veçanërisht gjatë dimrit, qëllimi ynë është të shpëtojmë jetën e tyre. Ata mund të rrisin dozën për shkak të të ftohtit dhe etheve. Ata nuk e ndjejnë kur marrin mbidozë dhe kjo u shkakton vdekjen”, tha Dr. Aref Wafa.

Doktorët thonë se këta persona përdorin heroinë, morfinë, opium dhe metamfetaminë. Zakonisht mbidoza shkakton vdekjen e tyre. Ata dërgohen në varrezat e Kabulit. Askush nuk e di se sa trupa varrosen aty pasi zyrtarët nuk ndjekin shifrat.

Vëllai i Gholam Yahyas humbi jetën nga varësia. Ai, përdorues droge si vëllai i tij, ende jeton nën këtë urë. Ai përshkruan trishtimin dhe turpin që ndjenë, nga mënyra se si të varurit që vdesin, trajtohen nga udhëheqësit fetarë.

“Ata thonë se ata që përdorin drogë, vrasin veten dhe meqenëse kryejnë vetëvrasje, lutjet në funeralet e tyre dhe larja e trupave të tyre janë të ndaluara. Nënat nuk sollën fëmijët në këtë botë për të përfunduar nën urën Pull-e-Sokhta. Vëllai nuk e donte këtë për veten, por nuk e varrosja dot në asnjë varrezë“, tha Gholam Yahya, përdorues droge.

Në gjithë Afganistanin, zona ‘Pul-e-Sokhta’ njihet si qendër e të droguarve. Ura në Kabulin Perëndimor e ka këtë epitet prej dy dekadave të fundit, ndërsa vendi përballet me problemin e varësisë nga droga.

Përdoruesit nuk janë vetëm nga Kabuli. Qindra njerëz ndajnë këtë mjedis të zymtë, ku mes mbeturinash kalojnë të droguar shumë ditë dhe netë. Shumica prej tyre janë dëbuar nga familjet dhe nuk kanë strehim.

Ata jetojnë në varfëri, të rrethuar nga papastërtia, muret e zeza dhe uji i ndotur.

Ndër vite ka pasur përpjekje të dështuara për ta mbyllur këtë vend.

Si shumë të tjerë, Nazo është në kërkim të më të dashurve të saj. Bashkëshorti dhe vëllai i saj janë të varur nga droga. Bashkëshorti përdor opium dhe është rimartuar. Ai i la asaj barrën e kujdesit për gjashtë djemtë e tyre. Në Afganistan, një nënë e vetme pa burrë në shtëpi përballet me jetë të vështirë, në veçanti kur të ardhurat e familjes varen nga ajo. Prandaj Nazo shpreson të gjejë vëllain e saj, të varur nga heroina.

“Para pesë muajsh shkova në shumë lagje për të pyetur nëse dikush e di vendndodhjen e tij. Nuk e njoh këtë zonë. Shkova të pyesja. U ktheva në shtëpi në orën 10 të natës. Jam grua. Nuk mund ta duroj pikëllimin nëse Zoti na ruajt dikush më prek ose flet fjalë të ndyra pas shpinës sime”, thotë ajo.

Veç gjashtë fëmijëve të saj, Nazo kujdeset edhe për nënën dhe bashkëshorten e vëllait. Ajo punon si pastruese dhe fiton rreth 2 dollarë e 60 centë në ditë.

“Kam vuajtur shumë për të. Një ditë i thashë nënës sime se kjo është një dhimbje që mund ta kapërcejmë së bashku. Do të gjejë një tabletë helmuese dhe do t’i japim fund gjithçkaje”, tha zonja Nazo.

Në pjesën tjetër të reportazheve mbi “Krizën e Varësisë nga Droga në Afganistan” do të zbulojmë se si prodhuesit mund të krijojnë droga të ndryshme që shkaktojnë varësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG