Lidhje

FDA: Përfitimet e vaksinës Pfizer për fëmijët, më të mëdha se rreziku


Ekspertët e Administratës së Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara thanë të premten se përfitimet nga vaksina Pfizer për fëmijët 5 deri në 11 vjeç kundër COVID-19 janë shumë më të mëdha sesa rreziku i rasteve të rralla të inflamacionit të zemrës, të quajtur miokardit.

Njoftimi vjen para se një panel ekspertësh të jashtëm të votojë të martën nëse do të rekomandojë miratimin e vaksinës nga FDA për këtë grupmoshë.

Nëse agjencia e jep autorizimin, vaksinat mund të jenë të disponueshme në Shtetet e Bashkuara në fillim të nëntorit.

Komisioni i pavarur këshillues i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do ta shqyrtojë këtë çështje më 2 dhe 3 nëntor.

Kompania farmaceutike Pfizer dhe partneri i saj gjerman, BioNTech, publikuan të premten të dhëna që tregojnë se vaksina e tyre ndaj COVID-19 është e sigurt dhe 90,7% efektive në parandalimin e infeksioneve simptomatike tek fëmijët 5 deri në 11 vjeç.

Pfizer tha se prova u krye në mesin e 2,268 fëmijëve të moshës 5 dhe 11 vjeç, të cilëve iu dhanë doza më të vogla, sa një e treta e atyre që u jepen personave 12 vjeç e lart.

Në pritje të miratimit, Shtëpia e Bardhë këtë javë njoftoi planet për të shpërndarë doza të mjaftueshme vaksine për 28 milionë fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç që jetojnë aktualisht në SHBA.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG