Lidhje

Sudan, njoftime për vrasjen e tre protestuesve nga forcat e sigurisë


Forcat e sigurisë qëlluan për vdekje tre persona gjatë protestave mbarëkombëtare në Sudan të shtunën njoftoi një organizatë mjekësh, teksa qindra mijëra njerëz demonstruan duke kërkuar rivendosjen e një qeverie të udhëhequr nga civilët, pas një grusht shteti ushtarak.

Një dëshmitar i tha agjencisë reuters se në Khartoum, forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe qëlluan me armë zjarri në përpjekje për të shpërndarë një turmë të madhe njerëzish, ndërsa protestuesit kishin ngritur një podium dhe po diskutonin mundësinë e një proteste.

Komiteti Qendror i Mjekëve Sudanezë tha se tre protestues u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë në qytetin Omdurman, si dhe 38 të tjerë u plagosën, disa nga të shtënat me armë zjarri.

Më herët Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se forcat e sigurisë së Sudanit duhet të respektojnë të drejtat e njeriut dhe se çdo akt dhune kundër demonstruesve paqësorë është "i papranueshëm".

Në një postim në Twitter zoti Blinken shkruante se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me "popullin e Sudanit në luftën e tyre paqësore, për demokraci".

Përfaqësuesi i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Sudanin dhe Sudanin e Jugut, Robert Fairweather tha gjithashtu të shtunën se forcat e sigurisë duhet të respektojnë të drejtën e popullit sudanez për të protestuar.

Kundërshtarët e një grusht shteti ushtarak në Sudan kanë bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare të shtunën për të kërkuar rivendosjen e një qeverie civile, për ta kthyer vendin në rrugën drejt demokracisë pas disa dekadash sundimi autoritar.

XS
SM
MD
LG