Lidhje

Debate mbi përdorimin e armëve në xhirime pas aksidentit të aktorit Alec Baldwin


Aksidenti fatal i kohëve të fundit gjatë xhirimeve të filmit Rust në Nju Meksiko ku protagonist ishte aktori Alec Baldwin, ka nxitur thirrje për ndalimin e përdorimit të armëve në seriale televizive dhe filma. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Gena Dulot ishte në qytetin Los Anxhelos dhe bisedoi me mjeshtrin e armëve Mike Tristano, i cili ka mbi 30 vjet që punon në industrinë e filmit.

Mike Tristano është specialist armësh në Hollywood. Ai ka mbi 30 vjet që punon si njeriu përgjegjës për përdorimin e sigurtë të të gjitha llojeve të armëve gjatë filmimeve.

Revolveri i modelit Colt është e njëjta armë sikurse ajo e përdorur gjatë aksidentit në tetor ku humbi jetën kineastja Haylina Hutchins dhe u plagos regjisori Jole Souza gjatë xhirimeve të filmit Rust të aktorit Alec Baldwin. Mjeshtri Tristano thotë se nuk duhet të kishte patur fishekë gjatë xhirimeve.

“Si nuk u kontrolluan ato armë? Në filmimet ku marr pjesë, armët kontrollohen disa herë. Ato kontrollohen përsëri disa herë para se të sillen në skenën e xhirimeve. Zakonisht armët kontrollohen nga dy specialistë.”

Mjeshtri thotë se armët nuk duhet të lihen kurrë në skenë pa dikë që i ruan ato, me sa duket i tillë ishte edhe rasti në xhirimet e filmit Rust.

Aksidenti fatal me armë ka ringjallur thirrjet për të ndaluar përdorimin e municioneve në xhirime. Regjisori Bandar Albuliwi postoi në internet një peticion që ka mbi 100 mijë firma.

“Duhet të marrë fund! Mund të xhirohen filma me armë, si për shembull filmat me kaubojsa. Por nuk është e nevojshme të përdoren armë të vërteta dhe municion.”

Regjisori dhe producenti Russell Duncan thotë se në momentin që një armë shfaqet në ekran, skena menjëherë bëhet më dramatike. Megjithatë ai nuk përdor municion.

“Nëse skena kërkon të shihen fishekët, unë përdor fishekë manovër. Për të realizuar skenën e hapjes së zjarrit përdor efekte kompjuterike dhe armët janë plastike. Aktori bën sikur shkreh armën dhe të gjitha efektet vizuale dhe zanore shtohen gjatë montazhit. Gjithçka duket prej vërteti.”

Mjeshtri Tristano thotë për Zërin e Amerikës se beson se efektet kompjuterike ndikojnë negativisht tek cilësia e filmit.

“Nuk e di se çfarë mendimesh kanë të tjerët, por kur shoh filma që përdorin efekte kompjuterike në skenat me të shtëna, gjithçka duket shumë e rreme. Nuk mund të ndërtosh në kompjuter tymin që del nga baruti i plumbave gjatë të shtënave. Duket shumë keq.”

Ai thotë se aksidentet me armë gjatë xhirimeve janë të rralla. Por problematike thotë ai mbetet siguria në skenën e xhirimeve.

Sipas një shkrimi të vitit 2016 nga agjencia e lajmeve Associated Press, mbi 40 vdekje janë raportuar gjatë xhirimeve në Hollywood që nga viti 1990 dhe mbi 150 lëndime që kanë ndryshuar jetët e të plagosurve.

XS
SM
MD
LG