Lidhje

Kosovë: Mbi 2 mijë raste të reja me COVID-19


Autoritetet shëndetësore në Kosovë thanë se gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan dy mijë e 50 raste të reja të të prekurve me COVID-19, një rritje kjo që nuk është parë që nga muajt e verës, kur vendi u përball me situatën më të rëndë shëndetësore.

Një ditë më parë u regjistruan 720 infektime.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, nga data 1 janar e deri më sot janë regjistruar 8 mijë e 148 raste të reja të infektimeve dhe me shifrat e fundit, numri i rasteve aktive arriti në mbi shtatë mijë, një shifër kjo që gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar sillej në rreth 300.

Edhe shkalla e infektimeve kundrejt testimeve u rrit të mërkurën ndjeshëm duke shkuar në më shumë se 22 për qind, ndërsa në ditët para vitit të ri, ishte rreth 3 për qind.

Autoritetet thonë se aktualisht vendi po përballet me rritje të lartë të infektuarve për shkak të përhapjes së variantit Omicron.

Autoritetet thonë se në krahasim me valët e mëhershme, tani ka një numër më të vogël të atyre që kërkojnë trajtim në spitale ndërsa që nga një janari si pasojë e COVID-19 kanë humbur jetën pesë veta, duke e çuar në 2 mijë 995 numrin e atyre që kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

XS
SM
MD
LG