Lidhje

Shqipëri, nën akuzë një tjetër anëtar i KPA-së


Anëtari i KPA-së Ardian Hajdari, duke dalë nga zyrat e SPAK
Anëtari i KPA-së Ardian Hajdari, duke dalë nga zyrat e SPAK

Në Shqipëri, ka përfunduar nën akuzë, Ardian Hajdari, anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KAP) trupës, e cila jep vendimet përfundimtare për magjistratët që i nënshtrohen procesit të rivlerësimit dhe që për nga hierarkia e institucioneve të Drejtësisë është në nivelin e Gjykatës Kushtetuese.

Zoti Hajdari është marrë sot i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK) e cila i ka komunikuar dhe dy akuza, atë të “Mosdeklarimit” dhe të “Fshehjes së pasurisë”.

Hetimi ndaj tij kishte nisur pas një kallzimi të bërë nga tre ish magjistratë të rrëzuar në procesin e rivlerësimit. Sipas tyre, gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Kolegjit, zoti Hajdari ka bërë deklarim të rremë të viteve të eksperiencës dhe ushtrimit të profesionit të avokatit, duke i rritur ato fiktivisht në mënyrë që të plotësonte kriteret e kërkuara.

Po ashtu, sipas kallzimit, ka dyshime se ai ka fshehur të ardhurat, pasi në vitin 2017 nuk ka bërë deklarim, në një kohë që gjatë prezantimit në procesin e përzgjedhjes, është shprehur se në atë vit kishte mbrojtur një numër të konsiderueshëm çështjesh.

Pritet që tani Kolegji i Posaçëm i Apelimit të mblidhet për të marrë masën e pezullimit nga detyra, deri në përmbylljen e të gjithë procesit të hapur ndaj tij.

Zoti Hajdari bëhet anëtari i dytë i KPA-së që përfundon në dyert e SPAK-ut, pas kolegut të tij Luan Daci i cili pak kohë më parë u shkarkua nga Kolegji, pas një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së APelit që e dënoi atë për falsifikim të dokumentacionit.

XS
SM
MD
LG