Lidhje

Meta emëron anëtaren e Gjykatës së Lartë, hapet rruga për plotësimin e Kushtetueses


Gjykata e Larte

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta dekretoi sot gjyqtaren Arbena Ahmeti si anëtare të Gjykatës së lartë. Pas këtij emërimi, kjo gjykatë bëhet me 10 nga 19 anëtarët që e përbëjnë atë. Në këtë mënyrë, ajo ka tanimë, kuorumin e nevojshëm për thirrjen e mbledhjes së posaçme e cila ka kompetencën për të zgjedhur tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të kompletohej kështu me të gjithë anëtarët e saj.

Në rastin e zgjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që thirret nga kryetari i saj, konsiderohet e vlefshme nëse marrin pjesë të paktën gjysma e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Muajin e kaluar Gjykata e Lartë dështoi të shqyrtonte 4 kandidatura që kishin kaluar të gjithë filtrat paraprak, për vendin vakant të ish gjyqtarit të Kushtetueses Fatmir Hoxha, pikërisht për mungesën e kuorimit.

Gjyqtarja Ahmeti u propozua javën e kaluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative. Ajo ishte kandidaturë e vetme për këtë funksion. Në njoftimin për vendimin e sotëm, presidenti Ilir Meta nënvizon se “në mbështetje të Kushtetutës, dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë, me qëllim përfundimin pa vonesë të procedurave për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve”.

Zonja Ahmeti ushtron aktualisht detyrën në Gjykatën Administrative të Tiranës. Në nëntor të vitit të kaluar ajo kaloi me sukses procesin e rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Vendimi i këtij institucioni nuk u ankimua nga Komisioneri publik, dhe në këtë mënyrë rikonfirmimi në detyrë, ka marrë formë të prerë.

Në fund të muajit janar, Gjykata e Lartë rishpalli thirrjen për vendin vakant të kryetares aktuale të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, mandati së cilës ka mbaruar prej disa vitesh, por që ligji e lejon të qëndrojë në detyrë deri në zevëndësimin e saj. Nga 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, 3 zgjidhen nga parlamenti, 3 nga presidenti, dhe 3 nga Gjykata e lartë.

Emërimi i sotëm nga zoti Meta i anëtares së dhjetë të Gjykatës së Lartë u përshëndet menjëherë nga ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim si dhe nga ambasadori i Delegacionit evropian Luigi Soreca.

“Ne mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për zbatimin e reformës në drejtësi, përfshirë emërimin e sotëm të gjyqtarit të 10-të në Gjykatën e Lartë, nga Presidenti. Kjo rrit funksionalitetin e Gjykatës së Lartë dhe mundëson që kjo Gjykatë të emërojë një gjyqtar për Gjykatën Kushtetues”, shkruajti në një postim në Twitter ambasadorja amerikane.

Ndërsa ambasadori Soreca u shpreh se “mirëpret emërimin e sotëm nga presidenti Ilir Meta të anëtarit të 10-të të Gjykatës së Lartë, e cila arrin tanimë kuorumin për të emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për konsolidimin e Reformës në Drejtësi”, përfundon zoti Soreca postimin e tij në Twitter.

XS
SM
MD
LG