Lidhje

Rusia thotë se bisedimet me Ukrainën në Turqi nuk shënuan përparim


Rusia tha të mërkurën se nuk ka ende asnjë shenjë përparimi në bisedimet e paqes me Ukrainën, ndërkohë që njoftohet se Moska ka shkelur një premtim për të reduktuar operacionet ushtarake në periferi të Kievit dhe në qytetin verior të Çernihivit.
Sulmet ruse vazhdojnë, megjithë premtimin për reduktimin e operacioneve ushtarake
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:52 0:00
Ukraina paraqiti një listë kërkesash në fillimin e negociatave të martën në Stamboll, Turqi, që synojnë t'i japin fund luftës 36-ditore, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjatë një konference për shtyp të mërkurën.

Një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se dy palët diskutuan mbi kushtet e një armëpushimi të mundshëm, si edhe për garanci ndërkombëtare sigurie për Ukrainën gjatë seancës së së martës.

Negociatorët ukrainas shpehën gjithashtu gatishmërinë që Kievi të ketë një status neutral dhe të angazhohet për të mos u anëtarësuar në NATO ose aleanca të tjera ushtarake në këmbim të garancive të sigurisë nga vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në, Britaninë, Francën, Turqinë, Kinën dhe Poloninë. Ndër të tjera, Kremlini ka kërkuar gjatë gjithë kohës që Ukraina të heqë dorë nga çdo shpresë për t'u bashkuar me NATO-n.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ishte një "faktor pozitiv" që Ukraina ka paraqitur propozimet e saj me shkrim, por shtoi se nuk pati ndonjë përparim në bisedime.

Ndërkohë forcat ruse vazhduan të godisnin zonat përreth Kievit dhe qytetin tjetër ukrainas Çernihiv gjatë natës, thanë zyrtarët lokalë të mërkurën, vetëm disa orë pasi Moska premtoi se do të reduktonte operacionet ushtarake në ato zona. Premtimi u bë nga delegacioni rus në bisedimet e Turqisë.

Rusia nuk e shpjegoi saktësisht se çfarë nënkuptonte me reduktim të aktivitetit ushtarak dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy dhe të tjerë shprehën mosbesim ndaj premtimit të Moskës.

“Nuk kemi arsye t'u besojmë fjalëve të përfaqësuesve të një shteti që vazhdon të luftojë për shkatërrimin tonë. Ukrainasit nuk janë njerëz naivë", tha presidenti Zelenskiy.

Kryebashkiaku i Kievit Vitali Klitschko tha sot se pavarësisht nga premtimi i Moskës, zhurma e bombardimeve vazhdonte të dëgjohej rreth kryeqytetit.

"Dje morëm informacion se forcat ruse ishin larguar nga Kievi. Nuk është e vërtetë. Gjatë gjithë natës kemi dëgjuar dhe parë sulmet e tyre dhe dëgjuam shpërthime të mëdha në lindje dhe veri të Kievit, çka do të thotë se po zhvillohen luftime, se njerëzit po vdesin edhe sot", tha kryebashkiaku.

Edhe guvernatori i Çernihivit, Viacheslav Chaus tha sot se Rusia nuk e kishte respektuar premtimin për të reduktuar operacionet ushtarake.

Zoti Chaus tha se forcat ruse vazhduan të godasin objektivat civilë në qytetin e tij.

"ReduktimI i aktivitetit në rajonin e Çernihivit ishte i gënjeshtërt, siç u demonstrua nga sulmet e armikut përfshirë sulmet ajrore në Nizhyn, dhe gjatë gjithë natës ata bombarduan Çernihivin," tha ai.

Disa ekspertë ushtarakë perëndimorë vënë në dukje se premtimi i Rusisë për të reduktuar luftimet lidhet kryesisht me zonat ku ajo ka humbur terren dhe se kjo nuk do të thotë se kërcënimi ndaj Kievit ka marrë fund.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby u tha gazetarëve të martën se Rusia thjesht po rishikon strategjinë e saj.

"Pra, ne nuk duhet të gënjehemi nga pretendimi i fundit i Kremlinit se krejt papritur do të reduktojë sulmet ushtarake pranë Kievit, ose nga njoftimet se do të tërheqë të gjitha forcat. A ka pasur ndonjë lëvizje nga njësitë ruse për të dalë nga Kievi ditët e fundit? Po, lëvizje të vogla. Por ne besojmë se ky është një ripozicionim, jo një tërheqje e vërtetë", tha ai.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha se humbjet e mëdha kanë detyruar disa njësi ruse të kthehen në Bjellorusi dhe Rusi për t’u riorganizuar, por se Moska ka të ngjarë të kompensojë reduktimet e manovrave tokësore me artileri masive. Ndërkohë ushtria ruse raportoi një raund të ri bombardimesh mbi arsenalet e Ukrainës dhe depot e karburantit gjatë 24 orëve të fundit.

XS
SM
MD
LG