Lidhje

Çifti i balerinëve flet mbi largimin nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë 


Adrian Blake Mitchell - Andrea Lasakova
Adrian Blake Mitchell - Andrea Lasakova

Balerinët Adrian Blake Mitchell dhe partnerja e tij Andrea Lasakova, u larguan nga Rusia më një mars të këtij viti, nga një pikëkalimi që lidh Rusinë me Estoninë. Ata janë mes shumë balerinëve ndërkombëtarë, që vendosën të largohen nga ky vend, për shkak të kundërshtisë së tyre ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.

Çifti i balerinëve flet mbi largimin nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00

Adrian Blake Mitchell dhe Andrea Lasakova shkuan në Shën Petersburg si shumë balerinë, të tërhequr nga historia dhe rëndësia e baletit rus.

Tashmë në Shtetet e Bashkura ata po bëjnë prova për një shfaqje të ardhshme, që do të luhet në shkollën e baletit “Westside Ballet” në Santa Monika të Kalifornisë, atje ku Andriani ishte dikur student.

"Kemi jetuar në Shën Petersburg të Rusisë për shtatë vitet e fundit, duke interpretuar në teatrin “Mikhailovsky", thotë balerini amerikan, Adrian Blake Mitchell.

“Ka qenë gjithmonë ëndrra ime, që kur isha studente. Kam studiuar në Sllovaki, kam qenë gjithmonë e magjepsur nga gjuha ruse dhe kam dashur gjithmonë të kërcej në Rusi”, thotë Andrea Lasakova, me origjinë nga Sllovakia.

Por ëndrra e Adrianit dhe Andreas për të dhënë shfaqje në një nga kryeqytetet e kërcimit klasik në botë, u ndal papritur kur Rusia sulmoi Ukrainën.

"Mësuam mbi sulmin në Ukrainë dhe për shkak të kësaj vendosëm të largoheshim", thotë Adriani.

Akti i çiftit nuk u prit me duartrokitje të zjarrta ashtu sikurse ishin mësuar t'i shijonin gjatë shtatë viteve që intepretonin në teatrin “Mikhailovsky”.

Në vend të kësaj, pas një udhëtimi katër orësh nëpër Rusi, Adriani u përball me pyetjet e ashpra të agjentëve rusë të sigurisë (FSB-së) në një pikëkalimi kufitar mes Rusisë dhe Estonisë.

Adriani u hoq sikur nuk i kuptonte pyetjet që ata i bënin në rusisht se pse po largohej nga vendi dhe se çfarë kishte bërë gjatë kohës që kishte qëndruar aty. Pas rreth 10 minutash marrje në pyetje, ai u lirua dhe u bashkua me partneren e tij që e priste e shqetësuar.

"Ai qëllimisht bëri sikur nuk e fliste mirë rusishten, në fakt rusishtja e tij është shumë e mirë”, thotë Andrea ndërsa kujton atë moment.

"Isha i shqetësuar. Nuk isha i sigurt se çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të përgjigjesha saktë. Ishte padyshim një moment i frikshëm, veçanërisht sepse në atë moment ishim shumë pranë daljes (nga vendi)", thotë Adriani.

Andrea dhe Adriani morën vendimin e menjëhershëm për t'u larguar nga Rusia sapo nisi lufta në Ukrainë, ndërsa kishin nisur të qarkullojnë zëra mbi vendosjen e mundshme të ligjit ushtarak, kolapsin financiar dhe kufizimin e lirive.

Ndërsa ishin në Rusi çifti nuk u përfshi në politikë, pavarësisht se kishin parë shumë protestues pro-demokracisë tek marshonin jashtë shtëpisë së tyre.

Por prej mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, ata kanë qenë të zëshëm në kundërshtimin ndaj luftës dhe në mbështetjen për popullin e Ukrainës.

"Sapo kalova kufirin, ndoshta brenda dy orëve, postova dhe shkruajta për luftën, duke e dënuar atë. Ne u vendosëm përballë një situate të vështirë. Por ajo që po ndodhte me popullin e Ukrainës ishte gjëja më tragjike dhe e tmerrshme që mund të imagjinoja", thotë Adrian.

Partnerë në skenë dhe jashtë saj, kërcimtarët besojnë se lufta ka shkaktuar një çarje të thellë në skenën ndërkombëtare të baletit.

"Shumica e miqve tanë janë ndërkombëtarë, ata u larguan dhe nuk mendoj se do të kthehen së shpejti, sepse është shumë e vështirë", thotë Adrea.

"Baleti rus padyshim që do të izolohet totalisht, i izoluar nga Perëndimi", thotë Adriani.

Ai beson se kërcimtarët që ndodhen ende në Rusi mund të jenë kundër luftës, por kanë frikë nga pasojat, nëse protestojnë.

"Dëgjon shumë pak kërcimtarë rusë që flasin, por shumë prej tyre duan të largohen pasi duan të kenë mundësi të flasin", thotë Adriani.

Prej largimit nga Rusia, Adriani dhe Andrea po zhvillojnë shfaqje e bashkëbisedime për të mbledhur fonde në mbështetje të Ukrainës.

"Mendoj se arti është mënyra më e mirë për të mbështetur dhe shprehur veten dhe për të treguar se cili është pozicioni që ke. Por jo të gjithë e kanë këtë mundësi, për fat të keq", thotë Adriani.

Aktualisht ata po bëjnë prova në “Westside Ballet” për një shfaqje të koreografit rus Oleg Vinogradov, "Barber's Adagio".

Është një balet që Adriani dhe Adrea e kanë interpretuar në Shën Petersburg, e që druhen se nuk do të munden ta kërcejnë më kurrë në Rusi.

XS
SM
MD
LG