Lidhje

Tifozët italianë dhe hollandezë përplasen me policinë në Tiranë


Conference League, përplasjet e tifozëve me policine shqiptare në Tiranë
Conference League, përplasjet e tifozëve me policine shqiptare në Tiranë

Mbrëmja e së martës në Tiranë u shënua nga një seri incidentesh të shkaktuara nga tifozët hollandezë dhe italianë të ardhur në Tiranë për të ndjekur finalen e parë të Conference League mes ekipit të Feyenoord-it dhe atij të Romës, e cila do të luhet nesër në stadiumin e kryeqytetit shqiptar “Air Albania”. Disa punonjës policie, dhe tifozë të të dyja skuadrave por dhe disa shqiptarë përfunduan në spital, ndërsa janë të paktën 60 të shoqëruar në komisariate deri në mesnatë.

Një incident i parë u shënua shumë pranë qendrës, ku një grup tifozësh hollandezë hynë në konflikt me një grup shqiptarësh, duke lënë të plagosur njërin prej tyre.

Më pas në një nga zonat më të frekuentuara, në një distancë prej afro 200 metrash nga kryeministria një grup tjetër tifozësh hollandezë u përplasën me policinë, pasi kjo e fundit I pengoi ata të shkonin drejt stadiumit. Sipas policisë ata goditën në mënyrë të dhunshme punonjësit e policisë “me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta”.

Ndërsa pranë drejtorisë së policisë së Tiranës “një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj”. Një makinë e policisë u dëmtua pasi u qëllua me gurë.

Në komisariatet e kryeqytetit kanë përfunduar grupet e tifozëve të dyja skuadrave, 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë.

Ndërkohë si pasojë e përplasjeve të dhunshme, në spitale, kanë përfunduar të plagosur 12 punonjës policie, 3 italianë, 1 hollandez, dhe tre të rinj shqiptarë.

Përveç 4 mijë tifozëve romanë dhe hollandezë që kanë marrë biletat nga klubet e tyre, mendohet që deri përpara ndeshjes të mbërrijnë në Tiranë dhe mbi 20 mijë italianë të tjerë dhe 7-8 mijë hollandezë. Mes tifozerive të të dyja palëve pritet të jenë dhe disa qindra ultras.

Vetëm gjatë ditës së martë në aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës pati 142 fluturime, nga të cilat 18 chartera me tifozë, ndërsa të mërkurën priten 178 fluturime, nga të cilat 36 vetëm chartera me tifozë. Po ashtu tifozë italianë kanë mbërritur dhe pritet të mbërrijnë dhe të mërkurën me tragete nga Bari.

Policia shqiptare ka angazhuar 2800 forca, pak më shumë se 25 përqind e numrit të përgjithshëm të punonjësve të policisë. Zona qendrore e Tiranës do të jetë e ndaluar për qarkullimin e mjeteve, ndërkohë që në kryeqytet nuk do të lejohet hyrja e makinave, përveç të atyre që kanë bileta, apo tifozëve të huaj.

XS
SM
MD
LG