Lidhje

Shqipëria merr drejtimin e presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara


Nga sot Shqipëria kryeson presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në konferencën e parë për shtyp nga marrja e kësaj përgjegjësie, ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha shpalosi përparësitë e presidencës së vendit që ai përfaqëson.

Zoti Hoxha tha se përparësitë e vendit të tij për muajin qershor, sa edhe do të zgjasë presidencia e Shqipërisë, bashkohen me përparësitë e përgjithshme të Këshillit të Sigurimit.

“Nuk mundemi dhe nuk duhet të familjarizohemi me mosndëshkueshmërinë. Ka një urgjencë për të vepruar tani dhe në emër të viktimave të panumërta të konflikteve të pakuptimta. Flas për gratë e përdhunuara në Kosovë, për nënat e pikëlluara të Bosnjes, për fëmijët e Ukrainës, për viktimat e panumërta në Trigrej, për pakicën Hazara në Afganistan, për Jazidët në Irak, për komunitetin Roghingjia, për të burgosurit politikë në Mjanmar dhe Sudan, për të burgosurit në Siri, për të gjithë gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Për këdo, kudo, që u janë mohuar të drejtat, që u është shkatërruar e ardhmja, që u janë thyer ëndrrat nga abuzimi”, tha zoti Hoxha.

Debati i parë i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nën drejtimin e Shqipërisë është pikërisht mbi temën e “ruajtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare – forcimi i llogaridhpnies dhe drejtësia për shkeljet serioze të ligjit ndërkombëtar”. I pranishëm në këtë diskutim do të jetë edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama. Shqipëria është pjesë e Këshillit të Sigurimit si vend anëtar jo i përhershëm. Vendi merr drejtimin e Këshillit në një periudhë të vështirë, mes tensioneve të thella mes lindjes dhe perëndimit dhe një krize të thellë të shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

XS
SM
MD
LG