Lidhje

Shqipëri, rastet me Covid trefishohen në qershor, rikthehen viktimat


Koronavirus, spitali COVID 3
Koronavirus, spitali COVID 3

Në Shqipëri rritja progresive e rasteve te reja me koronavirus në 2-3 javët e fundit, riktheu dhe viktimat. Ministria e Shëndetësisë njoftoi të hënën se një qytetar nga Tirana 72 vjeç i pavaksinuar, humbi jetën në spital. Rasti i fundit i një vdekjeje si pasojë e Covid-19, ishte rregjistruar 50 ditë më parë, në 8 maj.

Të dhënat e përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se që nga 1 qershori, janë 2945 raste të reja, gati trefishi i atyre të identifikuara gjatë muajit maj, ku në total pati 1055 të infektuar rishtazi. Ajo që bie në sy është se pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve te reja) është thuajse 4-fishuar, duke u ngjitur nga një mesatare prej 4.7 përqind në muajin maj, në 19.7 përqind përgjatë qershorit, në një kohë kur numri i testimeve gjatë këtij muaji ka qenë me një mesatare gati 20 përqind më të ulët. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Të hënën pozitiviteti ishte në nivele akoma më të larta, duke kapur kuotën e 24.5 përqind. Sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit “janë kryer 366 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 90 qytetarë”, ku pjesa dërrmuese, 59 raste në Tiranë, ndërsa “nga 5 qytetarë në Kavajë, Divjakë, Gramsh, nga 3 qytetarë në Patos, Vlorë, Kolonjë, nga 2 qytetarë në Durrës, Lushnje, dhe nga 1 qytetar në Mirditë, Fier, Gjirokastër”.

Po ashtu të dhënat e përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se numri i rasteve aktive është 6-fishuar. Në fund të muajit maj rezultonin 288 raste aktive, ndërsa të hënën ato ishin 1825 të tilla, duke dëshmuar përhapje me ritme të shpejta të infektimeve.

Vetëm në dy javët e fundit incidenca e rasteve të reja u rrit nga 22 në 82 raste të reja për 100 mijë banorë. Megjithatë në spitale situata, pavarësisht rritjes së numrave, nuk paraqitet shqetësuese. Të hënën ishin vetëm 17 pacientë që po merrnin trajtim mjekësor.

Autoritetet po përsërisin në mënyrë të vazhdueshme thirrjet për nevojën e vaksinimit, ritmet e të cilit ranë ndjeshëm, sidomos pasi më 26 prill, u hoqën thuajse të gjitha masat kufizuese. Në dy muajt e fundit, të dhënat zyrtare tregojnë se janë kryer në total pak më shumë se 71 mijë doza vaksinash. Aktualisht 57.5 përqind e popullsisë mbi 16 vjeç, kanë marrë të paktën një dozë, ndërsa me dy doza mbulesa vaksinale është 54.9 përqind. Vetëm 14.2 përqind, kanë marrë dhe dozën e tretë. Në fund të prillit Komiteti Teknik I ekspertëve rekomandoi dhe kryerjen e dozës së katërt të vaksinës, por deri më tani rezulton që ta kenë marrë pak më shumë se 1.100 persona.

Nga fillimi i pandemisë në mars të vitit 2020, në Shqipëri janë rregjistruar mbi 279 mijë raste positive dhe 3.498 humbje jete.

XS
SM
MD
LG