Lidhje

SHBA, publikohen pamjet e vrasjes së një afrikano-amerikani nga policia


Police car with lights and POLICE LINE TAPE, drawing, partial graphic
Police car with lights and POLICE LINE TAPE, drawing, partial graphic

Qyteti i Akronit në shtetin qendror amerikan të Ohajos, po përgatitet për reagime të reja nga banorët pas publikimit të pamjeve të kamerave të instaluara në trupat e policisë që tregojnë vrasjen e një të riu afrikano-amerikan javën e kaluar.

Protestuesit marshuan nëpër Akron të shtunën duke kërkuar drejtësi për afrikano-amerikanin 25 vjeçar Jayland Walker, për të cilin policia tha fillimisht se ishte ndaluar për një shkelje të rregullave të trafikut.

“Kemi problem me hipokrizinë e treguar për këtë çështje. Nëse kjo do t'i ndodhte të gjithëve në komunitetin tonë, ne nuk do të reagonim. Por kjo nuk u ndodh të gjithëve. Kryeqyteti i vendit u sulmua dhe gjatë incidentit ishte shkrepur vetëm një plumb. Ata u përpoqën të rrëzonin qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe u përdor vetëm një plumb. Ndaj këtij individi u qëllua mbi 90 herë. Kjo është e gabuar dhe e padrejtë”, thotë protestuesi Hamza Khabir.

Policia e ndoqi afrikano-amerikanin Walker për një kohë të shkurtër në makinën e tij dhe më pas ai doli nga makina e tij dhe u largua me vrap. Sipas njoftimeve, ai është qëlluar të paktën 60 herë nga policia.

“Ai ishte ndoshta një nga njerëzit më pozitivë që kam takuar ndonjëherë. Pra, kur e dëgjova për herë të parë lajmin mendova se ishte bërë ndonjë gabim. Mendova se kishin qëlluar dikë tjetër. Por, jam i trishtuar që tani nuk mund të flas më me të”, thotë protestuesi James Crawl.

Shefi i Policisë së qytetit të Akronit tha të dielën se afrikano-amerikani Jayland Walker kishte hapur zjarr ndaj policisë para se policia t’i afrohej makinës së tij.

Kjo është një nga rastet më të fundit të vrasjes së një afrikano-amerikani nga oficerët e policisë.

Vrasja e afrikano-amerikanit George Floyd nga një polic i bardhë në Mineapolis në vitin 2020, i cili vuri gjurin në qafën e George Floyd për disa minuta, shkaktoi protesta globale.

XS
SM
MD
LG