Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy paralajmëroi Evropën për një dimër të vështirë në një kohë kur sulmi ndaj vendit të tij nga Rusia, po çon në reduktim të sasisë së naftës dhe gazit që vjen nga Moska. Udhëheqësit evropianë diskutuan të dielën mbi mundësitë për të lehtësuar ndikimin e çmimeve të larta të energjisë.
Zoti Zelenskiy foli të shtunën në mbrëmje në një fjalim që pasoi vendimin e Moskës për të mbyllur një tubacion kryesor që furnizon me gaz rus kontinentin.
“Rusia po përgatit një goditje vendimtare lidhur me energjinë për të gjithë evropianët këtë dimër”, tha presidenti i Ukrainës.
Moska ka përmendur sanksionet perëndimore të vendosura lidhur me sulmin rus në Ukrainë dhe çështje teknike si shkak për ndërprerjet e energjisë. Vendet evropiane që kanë përkrahur Kievin me mbështetje diplomatike dhe ushtarake, kanë akuzuar Rusinë se po e përdor energjinë si armë.
Disa analistë thonë se mungesa e energjisë elektrike dhe rritja e kostove të jetesës me afrimin e dimrit, rrezikojnë të dëmtojnë mbështetjen perëndimore për Kievin, ndërsa qeveritë përpiqen të menaxhojnë pakënaqësitë brenda vendit.