Lidhje

Gjermania, Franca dhe Polonia bëjnë thirrje për përparim drejt liberalizimit të vizave për Kosovën


WEIMAR TRIANGLE - Arkiv
WEIMAR TRIANGLE - Arkiv

Ministrat për çështjet evropiane të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë bënë thirrje të premten për përparim në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën, që mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Këto thirrje që u bënë nëpërmjet një deklarate të përbashkët nga këto tri vende që njihen edhe si “Trekëndëshi i Vajmarit”, në të cilën theksohet edhe rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që u mundëson Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në qëndrueshmërinë e rajonit”, thuhet në deklaratë.

Ministrat e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë thanë se vendet e tyre janë të përkushtuara ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal”, thuhet në deklaratë duke paralajmëruar një vizitë trepalëshe në rajon për forcimin e lidhjeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në twitter tha se mirëpret “riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Vajmarit”.

Diplomacia evropiane është vënë në një përpjekje për të nxitur përparim te vendet e Ballkanit Perëndimor pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Gjermania, Franca dhe Polonia në deklaratën e tyre të përbashkët rikonfirmuan siç thanë angazhimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këto shtete thanë se mirëpresin përparimin e arritur në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ndërsa shprehën mbështetjen për proceset e reformave në rajon, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe në pajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale.

Ata janë shprehur të shqetësuar ndërkaq për krizën politike në Bosnje dhe Hercegovinë ndërsa u bënë thirrje të gjitha palëve që të sigurojnë zgjedhje të drejta dhe të lira që pritet të mbahen në fillim të muajit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG