Lidhje

Shefi i NATO-s: Ukraina do t’i bashkohet një ditë aleancës ushtarake të Perëndimit


Gjatë takimit të NATO-s në Bukuresht (29 nëntor 2022)
Gjatë takimit të NATO-s në Bukuresht (29 nëntor 2022)

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të martën se Ukraina, e cila po lufton tani përballë sulmit të Rusisë, do t’i bashkohet një ditë aleancës ushtarake të Perëndimit, duke sfiduar kështu drejtpërsëdrejti Presidentin rus Vladimir Putin.

“Dera e NATO-s është e hapur”, i tha zoti Stoltenberg ministrave të jashtëm të NATO-s të mbledhur në Bukuresht të Rumanisë, për të rikonfirmuar angazhimin për anëtarësimin e Ukrainës, angazhimi i cili u dha fillimisht në vitin 2008, por nuk përparoi më tej. Ai vuri në dukje se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi iu bashkuan rishtazi aleancës kryesore ushtarake të Perëndimit në periudhën e pas Luftës së Ftohtë, dhe se Suedia dhe Finlanda do të veprojnë po kështu së shpejti.

Rusia nuk ka të drejtën e vetos ndaj anëtarësimeve, tha zoti Stoltenberg. “I qëndrojmë edhe anëtarësimit për Ukrainën”.

“Presidenti Putin nuk mund t’ua mohojë vendeve sovrane që të marrin vendimet e tyre sovrane, që nuk përbëjnë kërcënim për Rusinë”, tha zoti Stoltenberg, që është njëkohësisht edhe ish-kryeministër i Norvegjisë.”Mendoj se ajo të cilës ai i frikësohet është demokracia dhe liria, dhe kjo është sfida më e madhe për të”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke ndjekur punimet e takimit të NATO-s
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke ndjekur punimet e takimit të NATO-s

Por, Ukraina nuk do t’i bashkohet së shpejti NATO-s, zhvillim i cili sipas kartës së aleancës do t’i vendoste forcat e armatosura të 30 vendeve anëtare drejtpërsëdrejti në fushëbetejë përballë forcave ruse. Do të ishte një angazhim shumë më i madh se miliarda dollarët në ndihma ushtarake dhe humanitare që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët i kanë dërguar qeverisë në Kiev për të ndihmuar luftëtarët ukrainas të mbrojnë vendin e tyre.



Në një takim në Bukuresht në vitin 2008, udhëheqësit e NATO-s thanë se Ukraina dhe Gjeorgjia do t'i bashkoheshin një ditë aleancës.


Disa zyrtarë dhe analistë besojnë se kjo lëvizje – e nxitur nga ish-presidenti i SHBA-së George W. Bush – ishte pjesërisht arsyeja për luftën që Rusia filloi në Ukrainë në shkurt. Zoti Stoltenberg tha se zgjerimi i NATO-s nuk do të pengohej.



Shumë nga 30 aleatët e NATO-s besojnë se vëmendja tani duhet të jetë e përqendruar tek mposhtja e Rusisë dhe zoti Stoltenberg theksoi se çdo përpjekje për ndërmarrë hapa drejt anëtarësimit mund të krijojë ndarje mes tyre.

Jens Stoltenberg
Jens Stoltenberg


"Jemi në mes të një lufte dhe për këtë arsye nuk duhet të bëjmë asgjë që mund të dëmtojë unitetin e aleatëve për të ofruar mbështetje ushtarake, humanitare dhe financiare për Ukrainën, sepse ne duhet të parandalojmë fitoren e Presidentit Putin", tha ai.



Ministri i Jashtëm sllovak Rastislav Kacer tha se aleatët duhet të ndihmojnë Ukrainën në mënyrë që "tranzicioni drejt anëtarësimit të plotë të jetë i qetë dhe i lehtë" pasi NATO dhe Kievi të jenë gati për bisedimet e pranimit.



Në një deklaratë, ministrat u zotuan të ndihmojnë Ukrainën të rindërtohet sapo të përfundojë lufta, duke thënë: "ne do të vazhdojmë të forcojmë partneritetin tonë me Ukrainën ndërsa ajo ndjek aspiratat e saj euro-atlantike".



Ukraina, nga ana e saj, bëri thirrje për më shumë furnizime të shpejta me armë për t'u mbrojtur.


"Më shpejt, më shpejt dhe më shpejt," tha Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. "Ne vlerësojmë atë që është bërë, por lufta vazhdon".



"Me pak fjalë," tha ai, "Sistemet ‘Patriot’ dhe transformatorët janë ato për të cilat Ukraina ka nevojë më shumë". Zoti Stoltenberg konfirmoi se dërgesat e sistemeve të tilla të sofistikuara me raketa janë në shqyrtim e sipër.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba (majtas) dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg (djathtas) në Bukuresht të Rumanisë (29 nëntor 2022)
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba (majtas) dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg (djathtas) në Bukuresht të Rumanisë (29 nëntor 2022)


Disa ministra u zotuan për mbështetje ushtarake për Ukrainën, të tjerë për ndihmë financiare dhe paisje.



Sllovakia tha se po siguronte 30 transportues të blinduar personeli dhe më shumë artileri.



Shtetet e Bashkuara njoftuan 53 milionë dollarë ndihmë për rrjetin elektrik të dëmtuar të Ukrainës.



Që nga fillimi i tetorit Rusia ka vënë në shënjestër infrastrukturën elektrike të Ukrainës, në një fushatë që zyrtarët amerikanë thonë se ka si synim ta përdorë të ftohtin e dimrit si armë kundër vendit.



Ministri i Jashtëm i Estonisë, Urmas Reinsalu, u bëri thirrje partnerëve të NATO-s që të angazhohen të japin 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbështetje ushtarake për Ukrainën, duke thënë se kjo do të sillte "një ndryshim strategjik".



Ministrat e jashtëm të Finlandës dhe Suedisë, kandidate për NATO-n, po marrin pjesë në bisedime. Turqia dhe Hungaria kanë paraqitur pengesa për ratifikimin e aplikimeve të tyre për anëtarësim. 28 vendet e tjera anëtare e kanë bërë tashmë një gjë të tillë.

* Për këtë artikull u morën të dhëna nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe AFP.

XS
SM
MD
LG