Policia e Kosovës tha se është vënë në kërkim të Sokol Halitit i cili dyshohet për vrasjen e ish bashkëshortes së tij shtatzënë, të mërkurën në mbrëmje në oborrin e spitaleve në Prishtinë.
Policia kërkon ndihmë edhe nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të ndihmonin në arrestimin e të dyshuarit.
Policia dhe prokuroria thanë se po kryejnë hetime për të ndriçuar rrethanat dhe motivet e mundshme të vrasjes që nxiti reagime në shkallë të gjerë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila në mëngjesin e së enjtes mblodhi grupin ndërministror për rastin e vrasjes së mbrëmshme tha se “secili që nuk e ka kryer detyrën, më e vogla është dorëheqja e shkarkimi, por këtu vjen në shprehje edhe përgjegjësia penale nëse vërtetohet që personat zyrtarë nuk e kanë kryer detyrën”.
Ajo akuzoi sistemin e drejtësisë për mosveprim ndërsa paralajmëroi masa për të gjitha institucionet përgjegjëse.
“Kompetencat janë të ndara por ju garantoj që nëse ka dështuar dikush do të ketë dorëheqje dhe shkarkim. Po të keni parasysh se dorëheqjet e shkarkimet janë kërkuar edhe në raste të kaluara kur ka dështuar prokuroria. As një dorëheqje dhe asnjë shkarkim. Këto raste, këto mosveprime, kjo neglizhencë po inkurajon kriminelët, po inkurajon vrasësit. Nuk kemi sot asnjë prokuror e asnjë gjyqtar që ka dhënë dorëheqje për shkak që se ka kryer detyrën”, tha ministrja Haxhiu.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, tha sot se me datën 8 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit për vrasjen e mbrëmshme, për veprën penale “kanosje” ndërsa me kërkesë të saj, Gjykata Themelore në Ferizaj, kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për viktimën që ishte në fuqi deri në muajin mars të vitit 2023.
Prokuroria tha se “ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe stacionit policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha sot në një postim në rrjetet sociale se dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që paramendohet dhe pranohet. Ai shkroi se duhet të hiqet dorë nga “paragjykimi patriarkal “nderi burrëror - gruaja shërbëtore”. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vijnë nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan”, shkroi ai duke theksuar se Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.
Vrasja e së mërkurës nxiti reagime në shkallë të gjerë ndërsa opozita akuzoi qeverinë e Kosovës si përgjegjëse për mosreagim.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku akuzoi kryeministrin Albin Kurti për mungesë të veprimeve për të kërkuar përgjegjësi për vrasjen e mbrëmshme.
Zoti Abdixhiku shkroi se “një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim. Përgjegjësi kërko Kryeministër! Merr masa, vepro. Për atë punë je aty”, shkroi ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kryeministri Albin Kurti është bashkëpjesëmarrës në krim. Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, zoti Haradinaj tha se “kam qenë i pari që këtë kryeministër e kam quajtur “mashtrues” dhe sot edhe ata që më kanë kundërshtuar më së tepërmi, kanë rënë në fjalë të mia. Nuk kisha pasë dëshirë të jem i pari që këtë kryeministër ta quaj edhe vrasës!”, shkroi ai.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog u shpreh “i tmerruar nga vrasja e një gruaje dhe fëmijës së saj të palindur mbrëmë. Ajo ishte gruaja e dytë e vrarë që nga fillimi i fushatës 16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës ndaj gruas, Kjo është e papranueshme!”, shkroi ai.
Për të enjten shoqatat për mbrojtjen e grave kanë paralajmëruar protestë në Prishtinë.
Kjo është vrasja e dytë e grave në një javë në Kosovë. Më 25 nëntor një burrë vrau gruan e tij në Prishtinë.
Të dyja vrasjet ndodhën ndërsa në Kosovë po mbahet një fushatë 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”.
Policia e Kosovës tha se nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor, janë shënuar dy mijë e 273 raste të dhunës në familje.