Lidhje

Hagë, avokatët: Thaçi nuk e kontrollonte UÇK-në


Avokatët e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, thanë të martën se ai nuk ushtronte kontroll mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën e përfshirë në akuzat e Prokurorisë së Posaçme për krime lufte kundër tij.

Këto komente u bënë në ditën e dytë të procesit gjyqësor në Gjykatën e Posaçme më seli në Hagë, kundër ish presidentit Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria i ngarkon ata për veprat; përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Prokuroria e Posaçme në Hagë thotë se krimet e pretenduara janë kryer në periudhën nga muaji mars i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa zonë anembanë Kosovës, si dhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Prokuroria pretendon se viktimat, rreth 100 syresh, janë të etnive të ndryshme, por shumica janë shqiptarë.

“Hashim Thaçi nuk e kontrollonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, komandantët e zonave e kontrollonin atë”, tha avokati Gregory Kehoe, duke hedhur poshtë pohimet e prokurorëve se qëllimi i të akuzuarve ishte forcimi i pushtetit në Kosovë.

Katër të akuzuarit i hodhën poshtë të hënën pretendimet e prokurorisë së posaçme.

Avokati Kehoe, tha se zoti Thaçi nuk kishte asnjë motiv të kryejë krimet për të cilat akuzohet.

“Ai e dinte se suksesi i UÇK-së varej nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga Shtetet e Bashkuara”, të cilat tha ai, i kishin bërë të qartë Ushtrisë Çlirimtare të mos sulmonte civilët.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Akuzat e ngritura prej saj kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999. Lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG