Lidhje

Krasniqi: Akuza për përndjekjen e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës- absurde


Në Gjykatën e Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, përfundoi të mërkurën paraqitja e fjalës hapëse të prokurorisë dhe avokatëve të ish zyrtarëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Krasniqi: Akuza për përndjekjen e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës- absurde
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

Jakup Krasniqi, i cili gjatë luftës në Kosovës shërbeu si zëdhënës i kryengritësve shqiptarë që luftonin për pavarësi nga Serbia, hodhi poshtë pretendimet e prokurorisë së posaçme e cila e akuzon atë si dhe tre zyrtarët e tjerë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin për veprat penale, përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Prokuroria pretendon se shumica e viktimave, rreth 100 syresh, ishin shqiptarë dhe se veprimet e të akuzuarve synonin forcimin e pushtetit ndaj atyre që hamendësoheshin si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zoti Krasniqi i cilësoi “absurde” akuzat për përndjekje të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Është absurde që të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose si pjesë e një qëllimi të përbashkët për të sulmuar Lidhjen Demokratike të Kosovës. Unë vet isha anëtar i LDK-së, familjarët ishin anëtarë të saj, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm në një mendje të çoroditur mund të ketë lind ideja se unë kam mund të jem pjesë e persekutimit tim, të familjarëve të mi dhe bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të mi”, tha zoti Krasniqi.

Venkateswari Alagendra, avokate e zotit Krasniqi, nënvizoi në fjalën e saj ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund luftës në Kosovë në vitin 1999.

NATO-ja ka qenë e angazhuar me UÇK-në në nivele të shumta. Pa sulmet ajrore të NATO-s, forcat e Serbisë nuk do të ishin larguar nga Kosova. Në të njëjtën kohë pretendimet e prokurorisë se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe se qëllimi përbashkët kriminal ishte i njohur dhe publik, nuk qëndrojnë. Kjo i bie që NATO mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur. Kjo është e gabuar”, tha ajo.

Avokatja tha se zoti Krasniqi ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së në qershor të vitit 1998 dhe e gjithë veprimtaria e tij ishte publike.

“Zëdhënësit nuk përfshihen në çështje operacionale”, tha ajo.

Mbrojtja e të akuzuarve të tjerë hodhi poshtë po ashtu pretendimet e prokurorisë.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar.

Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por kjo çështje nuk u përfshi në asnjë nga akuzat e deritashme.

Procesi gjyqësor që filloi të hënën, vazhdon nga e marta me 11 prill kur prokuroria pritet të paraqesë provat e saj në një proces që pritet të zgjasë deri në prill të vitit 2025 për t’u lënë vendin mbrojtësve të të akuzuarve, të cilët gjatë dy ditëve të fundit theksuan rrethanat në të cilat u zhvillua lufta në Kosovë e cila la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG