Udhëheqësit e NATO-s do të takohen të mërkurën me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të nivelit të lartë të aleancës, që mbahet në kryeqytetin e Lituanisë. Takimi është përqendruar tek mbështetja për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus si dhe mbi të ardhmen e Kievit brenda aleancës.
"Ne do të jemi në gjendje t'i bëjmë një ftesë Ukrainës për t'iu bashkuar aleancës kur vendet anëtare të bien dakord dhe të plotësohen kushtet", thanë udhëheqësit e NATO-s në një deklaratë me shkrim, duke përsëritur qëndrimin e tyre në mbështetje të anëtarësimit të Ukrainës, por duke mos ofruar ndonjë afat kohor specifik sikurse ka kërkuar Presidenti Zelenskyy.
Të mërkurën pritet të mbahet dhe takimi i parë i Këshillit NATO-Ukrainë. Po sot zoti Zelenskyy do të zhvillojë bisedime të veçanta me Presidentin Joe Biden.
Shtëpia e Bardhë tha se udhëheqësi amerikan pritet të mbajë një fjalim “ku do të theksojë ndihmën që Shtetet e Bashkua dhe aleatët dhe vendet partnere po vazhdojnë të ofrojnë për Ukrainën, në mbrojtje të vlerave demokratike si dhe trajtimit të sfidave globale.
Britania tha se anëtarët e grupit të G-7 kanë në plan gjithashtu të shpallin një kornizë të re për aleatët, që ofrojnë mbështetje afatgjatë në fushën e sigurisë për Ukrainën.