Lidhje

Protestë kundër një shfaqjeje në festivalin Dokufest në Prizren – sulmohet një ekip gazetarësh


Grupe qytetarësh protestuan sot në Prizren me ftesë të Bashkësisë Islame të këtij qyteti kundër një shfaqjeje në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, Dokufest, që po mbahet për herë të 22-të në këtë qytet.

Me parullat “Dokufest i keq”, “Jo degjenerimit”, “Prizreni, qytet i historisë”, e të tjera, protestuesit kundërshtuan një shfaqje të një grupi nga Kanadaja në mbrojtje të transgjinorëve, të abortit, por edhe të dukurive tjera që mund të trajtohen si tema “të ndaluara” në shoqëri.

Gazeta në internet Nacionale tha se ekipi i saj është sulmuar nga një grup protestuesish.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u shpreh “i tronditur me sulmin ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren”.

Duke i bërë thirrje policisë për arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve Asociacioni shkroi se “ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve”.

Rreth 250 filma nga 111 shtete të ndryshme ishin pjesë e festivalit të sivjetmë që mbyllet të shtunën.

Shfaqja që nxiti reagime u vu në skenë në një koncert pas mesnate në ditën e hapjes së festivalit.

Organizatorët e protestës së sotme pretendojnë se shfaqja kishte elemente “perverse e erotike”, që sipas tyre “nuk përkon assesi me traditën dhe kulturën tonë”.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Prizrenit, Besim Berisha tha se “rreziku i degjenerimit nuk arsyeton asnjëherë asnjë përfitim material e prestigjioz”.

Drejtori artistik i festivalit Veton Nurkollari, tha në një deklaratë për Zërin e Amerikës se koncerti i grupit “Peaches” nuk është mbajtur në hapjen zyrtare të DokuFest-it dhe në te nuk ka pasur qasje askush pa biletë. Ai tha se “shfaqja është mbajtur në hapësirën e mbyllur brenda parkut të Marashit, pas orës 1:30 të natës dhe vetëm për një audience mbi 18 vjet.

“Ne kuptojmë se mund të ketë mospajtime rreth aspektit artistik të ngjarjeve në festival, qofshin ato performanca muzikore apo shfaqje të filmave, por na duhet të përkujtojmë të gjithë se për fat të mirë jetojmë në një vend të lirë dhe demokratik ku liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë. Dhe në të njëjtën kohë shprehim shqetësimin tonë për nxitjen e urrejtjes dhe dhunës gjatë protestës, e cila ishte paralajmëruar të jetë paqësore”, tha zoti Nurkollari.

Pak pas përfundimit të luftës në Kosovë, festivali kishte filluar si një përpjekje për të funksionalizuar një kinema në qytetin e Prizrenit. Në atë kohë organizatorët thonë se mezi kishin mbledhur 20 filma të shkurtër dokumentar. Ndërsa përgjatë viteve festivali përveç shtimit të pjesëmarrjes, sipas organizatorëve, po luan një rol të rëndësishëm jo vetëm në ringjalljen e jetës kulturore në Kosovë, por edhe në shkëmbimin kulturor me shumë vende të botës.

XS
SM
MD
LG