Lidhje

Grupe serbësh protestojnë në mbështetje të udhëheqësit pro rus të Republikës Serbe në Bosnje


Mbështetësit e udhëheqësit nacionalist serb Milorad Dodik, presidentit pro rus të Republikës Serbe në Bosnjë, protestuan të premten duke kërkuar që t’i jepet fund asaj që ata e quajtën përndjekje të udhëheqësit të tyre.

Duke mbajtur flamuj të Rusisë dhe fotografitë e presidentit rus Vladimir Putin, protestuesit serbë kërkuan që prokurori i shtetit boshnjak të heqë dorë nga akuzat ndaj Milorad Dodikut.

Më 11 gusht Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti akuzë kundër presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, si dhe kundër drejtorit të gazetës zyrtare të këtij entiteti, Milosh Lukiç, për veprën penale të moszbatimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

Akuza pasoi hyrjen në fuqi të dy ligjeve të nënshkruara nga Milorad Dodiku; njëri që i bën të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në Republikën Serbe dhe tjetri që parandalon publikimin në Gazetën Zyrtare të këtij entiteti të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

Qindra qytetarë të Republikës Serbe u mblodhën pranë vijës administrative që ndan dy njësi në Sarajevën Lindore dhe në tre qytete të tjera në veri dhe jug të Bosnjës. Me parullat "Kufiri ekziston", ata bllokuan për pak kohë trafikun në ato zona.

Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar Christian Schmidt tha në një deklaratë se ishte "e papërgjegjshme të organizoheshin ngjarje politike përçarëse në vijën ndërmjet Republikës Serbe dhe Federatës boshnjako-kroate, duke theksuar se nuk ka kufij por një "vijë thjesht administrative".

Më herët gjatë ditës ligjvënësi amerikan Mike Turner dhe ambasadori amerikan në Bosnje Michael Murphy u takuan me Përfaqësuesin e Lartë Schmidt për të biseduar rreth sulmeve në rritje ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe rendit kushtetues të Bosnjës, duke i shprehur mbështetje zotit Schmidt.

Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë. Paqja u vendos në Dejton të Shteteve të Bashkuara.

Udhëheqësi serb Milorad Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, është përpjekur hapur të ndajë territoret serbe nga pjesa tjetër e Bosnjës dhe t'i bashkojë ato me Serbinë fqinje. Ai është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara në janar të vitit 2022 dhe në vitin 2017 për pengim të Marrëveshjes së Dejtonit

Ekziston frika e përhapur se Serbia, një aleate e Rusisë, mund të nxisë tensionet në Ballkan për të hequr të paktën një pjesë të vëmendjes botërore nga lufta në Ukrainë.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press

XS
SM
MD
LG