Lidhje

Akuzat për korrupsion, nis gjyqi ndaj senatorit amerikan Bob Menendez  


Senatori Bob Menendez
Senatori Bob Menendez

Të hënën nis gjyqi ndaj senatorit Bob Menendez, ish kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili akuzohet se ka përdorur pozicionin e tij për përfitime personale. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amërikës, Aron Ranen, ndaj zotit Menendez rëndojnë akuza federale dhe nesër në Nju Jork procesi nis me përzgjedhjen e jurisë.

Akuzat për korrupsion, nis gjyqi ndaj senatorit amerikan Bob Menendez
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Senatori amerikan Bob Menendez mund të përballet me disa vite burg nëse shpallet fajtor në lidhje me akuzat për korrupsion nën dyshimet se ka vepruar si një agjent i paregjistruar i qeverisë egjiptiane.

Zoti Menendez kundërshton akuzat dhe thotë se është i pafajshëm si dhe ka hedhur poshtë thirrjet për të dhënë dorëheqjen nga Senati. Ekspertët për çështjet juridike thonë se akuzat janë historike.

“Akuzat janë unike, është hera e parë në historinë amerikane që një senator në detyrë akuzohet si agjent i një qeverie të huaj”, thotë Neama Rahmani, ish-prokuror federal.

Senatori, i cili shërbeu si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, akuzohet se ka marrë para, shufra ari dhe një automjet tip “Mercedes-Benz”, pasi ka përdorur ndikimin e tij për të ndihmuar disa biznesmenë në Nju Xhersi si dhe qeverinë egjiptiane.

Departamenti i Drejtësisë thotë se zoti Menendez dhe gruaja e tij pranuan “qindra mijëra dollarë” në këmbim të ndihmës. Në qershor të vitit 2022, agjentët federalë bastisën shtëpinë e çiftit në Nju Xhersi dhe zbuluan gati gjysmë milioni dollarë para të gatshme dhe shufra ari me vlerë mbi 100 mijë dollarë.

“Senatori Menendez do ta mbrojë veten duke thënë se po vepronte për të mirën publike. Por kjo mënyrë e mbrojtjes nuk ka gjasa të funksionojë në këtë rast”, thotë Neama Rahmani, ish-prokuror federal.

Reagimet e votuesëve në zonën e tij elektroale në Nju Xhersi janë të ndryshme.

“Mendoj se ai duhet të gjykohet për atë që ka bërë. Dhe nëse ai shpallet fajtor, duhet të largohet nga Senati”, thotë një banor.

“Është pak zhgënjyese kur dëgjon akuzat. Shpresojmë të mos jenë të vërteta. Por ne kemi një sistem gjyqësor të mirë, le t’a lemë t’i zbulojë se cilat janë faktet”, thotë një tjeter banor.

Zoti Menendez ka dhënë përkohësisht dorëheqjen nga posti i kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për t’u përqëndruar në mbrojtjen e tij. Dikur ai shihej si një yll në rritje në Partinë Demokrate, por tashmë e ardhmja e zotit Menendez tashmë është e pasigurt.

“Në mënyrë të pashmangshme, kjo do të dëmtojë karrierën e Bob Menendezit. Sigurisht, në politikë, kurrë mos thuaj kurrë, por nuk duket se do të ketë një prespektivë të mirë për të”, thotë Ashley Koning, nga Universiteti "Rutgers".

Në një deklaratë të lëshuar në muajin shtator, të vitit të kaluar zoti Menendez tha se pas akuzave qëndronin rivalët e tij politikë.

“Elementë që qëndrojnë në prapaskenë, janë përpjekur vazhdimisht të më mbyllin gojën dhe të më varrosin politikish. Jam i bindur se kjo çështje do të zgjidhet me sukses pasi të paraqiten të gjitha faktet dhe banorët e Nju Xhersit do ta mësojnë të vërtetën”, theksohet në deklaratë.

Përzgjedhja e jurisë për gjyqin e senatorit fillon të hënën dhe pritet të zgjasë për disa javë.

XS
SM
MD
LG