Lidhje

Dy vëllezër kryen sulme vetëvrasëse në Bruksel - dy persona të tjerë në kërkim


Prokurori federal belg, Frederic Van Leeuw, tha të mërkurën se dy vëllezër, kryen sulme vetëvrasëse në aeroportin dhe metronë e Brukselit, duke lënë pas vetes mbi 30 të vrarë. Ai tha në një konferencë me gazetarë se sulmuesi vetëvrasës në aeroport Ibrahim El Bakraoui, kishte lënë amanetet e tij në një kompjuter që është gjetur nga policia.

I vëllai, Khalid El Bakraoui, hidhi veten në erë në metro në stacionin Maelbeek, tha prokurori Van Leeuw.

Dy persona të tjerë që ishin kapur nga kamerat në aeroport përkrah Ibrahim El Bakraouit, ende nuk janë identifikuar, tha ai.

Policia dhe prokurorët thanë se janë në ndjekje të Najim Laachraoui, 25 vjeçar, i cili kërkohej nga policia edhe para sulmeve të së martës meqë, sipas medies belge ADN-ja e tij është gjetur në shtëpitë e shfrytëzuara nga personat e përfshirë në sulmet e Parisit në nëntor të vitit të kaluar.

Por, prokurori, nuk tha nëse Laachraoui, ishte në foton e të tre personave të dyshuar që ishte publikuar më herët gjatë ditës. Njoftime kudnërthënëse janë bërë gjatë ditë na media belge e cila fillimisht njoftoi se Laachraoui ishte arrestuar, ndërsa më pas u tha se policia kishte arrestuar gjatë bastisjeve një person, por nuk bëhej fjalë për të dyshuarin.

Të dy vëllezërit El Bakraoui ishin të njohur për policinë për veprime kriminale, por nuk kishin histori të veprimtarive terroriste. Mediet belge thanë se Khalid el-Bakraoui kishte përdorur një emër të rremë për të marrë me qira një apartament në Bruksel i cili ishte bastisur javën e kaluar dhe me atë rast ishin gjetur armë dhe shenjat e gishtërinjve të Salah Abdeslam, të dyshuarit kryesor për sulmet e 13 nëntorit të vitit të kaluar në Paris. Abdeslam u arrestua të premten.

Policia tha gjithashtu se janë gjetur një bombë, kimikate dhe një flamur i grupit Shteti Islamik, gjatë bastisjeve në një shtëpi në një lagje në Bruksel, në kërkim të të dyshuarit.

Bomba e tretë e pashpërthyer dhe të paktën një pushkë e tipit kallashnikov, janë gjetur në aeroport.

Grupi Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë për masakrën e së martës.

Dy bomba shpërthyen në aeroport dhe një sulmues vetëvrasës hodhi vetën në erë një orë më pas në stacionin e metrosë Maelbeek, afër selisë së Bashkimit Evropian në qendër të Brukselit.

Më shumë se 200 veta u plagosën. Belgjika e ka ngritur nivelin e alarmit për terror në shkallën më të lartë.

Një zyrtar amerikan i tha Zërit të Amerikës se nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në pretendimin e Shtetit Islamik.

Kryeministri belg Charles Michel tha se "ky është një çast i errët për vendin tonë, tani më shumë se kurrë dua t’u bëj thirrje të gjithëve të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë solidaritet".

Presidenti amerikan Barack Obama, që ishte në Havana, tha se SHBA do të bëjnë çdo gjë që është e nevojshme për të ndihmuar aleaten e tyre Belgjikën, të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës.

Ai tha se SHBA “qëndrojnë në solidaritet me ta dhe i dënojnë këto sulme të neveritshme kundër njerëzve të pafajshëm.''

Më pas ai foli në telefon me kryeministrin belg, Charles Michel, për t'i shprehur ngushëllimet në emër të popullit amerikan. Shtëpia e Bardhë tha se ai ritheksoi "mbështetjen e palëkundur" të Shteteve të Bashkuara për Belgjikën dhe ofroi ndihmën për hetimin e sulmeve dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Të paktën nëntë amerikanë janë në mesin e të plagosurve, përfshirë edhe një pjesëtarë të forcave ajrore amerikane. Predienti Obama urdhëroi që flamujt të ulen në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat qeveritare.

Qindra qytetarë belg vunë lule dhe ndezën qirinj të martën në qendër të Brukselit.

Monumentet evropiane, përfshirë Kullën e Aifelit, Portën e Brandenburgut në Berlin, Shatërvanët Trevi në Romë si dhe rrokaqiellin Burj Khalifa në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, u ndriçuan me ngjyrat e flamurit belg.

Pamjet e së martës, tregonin njerëzit që largohen nga aeroporti Zaventem, ndërkohë që një shpërthim i dyfishtë rreth orës 8 të mëngjesit shkatërroi dritaret e mëdha, duke e mbushur dyshemenë e aeroportit me copëra xhamash të thyer. Njerëzit dëgjohen duke qarë e duke bërë thirrje për ndihmë.

Kamerat kapën pamje të ngjashme në stacionin e metrosë në Maelbeek, prej nga njerëzit dilnin me plagë dhe djegie në trup.

Të gjitha fluturimet u ndërprenë të martën, ndërsa u mbyll edhe metroja.

Departamenti amerikan i Shtetit, u bëri thirrje për kujdes qytetarëve amerikanë gjithandej Evropës.

Autoritetet në Frankfurt, Londër, Paris dhe Holandë kanë rritur sigurinë në aeroporte.

Max Abrahms, profesor i shkencave politike , i cili është i përqendruar në çështjet që lidhen me terrorizmin, tha se duket që shpërthimet ishin pjesë e një operacioni të planifikuar para arrestimit të Abdeslamit të premten e kaluar.

"Ata ishin duke punuar dhe është e mundur që gjërat janë përshpejtuar pas kapjes", i tha ai Zërit të Amerikës.

Goditjet mbi grupet terroriste shpesh motivojnë celulat terroriste për të vepruar, tha Abrahms

XS
SM
MD
LG