Lidhje

Shqipëri: Presidenti Moisiu kërkon plotësimin e kushteve të punës për gjykatat e krimeve të rënda


Në Shqipëri presidenti Alfred Moisiu kritikoi sot qeverinë për zvarritje në mosplotësimin e kushteve të punës dhe sigurisë për gjyqtarët e gjykatës së krimeve të rënda. Duke folur në analizën një vjetore të kësaj gjykata presidenti Moisiu tha se asnjë alibi nuk mund të pranohet dhe nuk mund të vlejë për justifikim. Kreu i shtetit u kërkoi gjyqtarëve të krimeve të rënda që vendimet e tyre të jenë një model për gjykatat e tjera.

Gjykatat dhe prokuroritë e krimeve të rënda në Shqipëri nisën aktivitetin e tyre në fillim të vitit të shkuar. Vënia në funksionim e një strukture të tillë pati si objektiv një goditje më të ashpër ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve. Me miratimin e disa ndryshimeve në legjislacion penal, dhe të asaj që njihet si paketa antimafia këtyre gjykatave u është dhënë një instrument më i fortë në dorë.

Gjykata e krimeve të rënda shqyrton çështje dënimet e të cilave parashikohen mbi 15 vjet burgim. Gjatë viti 2004 kjo gjykatë ka dhënë dënime me 20 vjet burg dhe burgim të përjetshmë për vepra të vrasjes dhe vjedhjes me armë dhe mbi 15 vjet për trafikim fëmijësh.

Gjyqtarët e krimeve të rënda u përzgjodhën pas një seleksionimi të gjatë. Vetë presidenti Moisiu rrëzoi më shumë se gjysmën e kandidaturave, pikërisht me synimin për të zgjedhur figura të pastra dhe me integritet.

Duke folur sot në analizën e viti të parë të punës së kësaj gjykate kreu i shtetit tha se pavarësisht nga rezultatet e arritura shqetësuese mbetet kohëzgjatja e gjykimit të cështjeve dhe ai tërhoqi vëmendjen edhe për shkak të ndikimit që sjellin vendimet e kësaj gjykate:

"Vendimet tuaja duhet të shërbejnë si model i arsyetimit edhe për gjykatat e tjera, të cilat duhet të shohin në këtë gjykatë modelin e përparuar të vetë sistemit dhe t’i referohen asaj. Këto vendime nuk duhet të reflektojnë vetëm faktet dhe rrethanat në të cilat gjykata mbështetet për vendimarrjen por mendimin e përparuar shkencor për trajtimin e çështjeve ligjore të shtruara për zgjidhje. Gjykata juaj duhet të bëjë dallimin e asaj që kërkohet në tërësi nga të gjitha gjykatat, lidhur me përmirësimin thelbësor të vendimit gjyqësor".

Presidenti Moisiu nuk la për përmendur edhe çështjen e vjetër tashmë të mungesës së mjediseve të punës dhe të sigurisë për gjyqtarët e krimeve të rënda:

"Zgjidhja e problemeve për sigurimin e kushteve normale të punës, për trajtimin dhe ruajtjen e gjyqtarëve të krimeve të rënda është një përgjegjësi ligjore, të cilën ekzekutivi duhet ta përmbushë sa më parë. Një vit pritjeje është humbje e madhe kohe, ndaj asnjë alibi nuk mund të pranohet dhe nuk mund të vlej për justifikimin e kësaj zvarritjeje”.

Gjykata e krimeve të rënda vazhdon të funksionojë në të njejtën godinë me atë të gjykatës së Tiranës. Megjithëse të parashikuara masata e mbrojtjes së gjyqtarëve që përballen me çështjet më të rrezikshme janë shumë të dobëta. Po kështu ata nuk janë të favorizuar as për kushtet e banimit, duke qenë se pjesa dërrmuese kanë ardhur nga rrethet.

Shqetësimi për këtë situatë është shprehur edhe më parë nga përfaqësues të ndryshëm të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri të cilët e kanë mbështetur fuqimisht ngritjen e kësaj strukture.

XS
SM
MD
LG