Lidhje

Plani Marshall mund të shërbejë si model për demokratizim global


“Parimet demokratike nuk lulëzojnë me barkun bosh”. Kështu u shpreh ish-Sekretari amerikan i Shtetit George C. Marshall kur mori çmimin Nobel për paqen në vitin 1953. George Marshall ishte autori kryesor i Programit të Rimëkëmbjes Evropiane, mbështetur nga Shtetet e Bashkuara që ndihmoi vendet evropiane të rimëkëmbin ekonomitë e tyre, pas shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore. Sot, 57 vjet pas krijimit të Planit Marshall, disa ekspertë thonë se ky plan mund të shërbejë si model për demokratizim global. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Ivana Kuhar njofton mbi një diskutim të mbajtur në Universitetin George Washington:

Nga viti 1948 deri në vitin 1953, Shtetet e Bashkuara u dhanë 13 miliardë dollarë 16 ekonomive evropiane që marrin pjesë në planin Marshall. Plani ishte një sukses i madh. Vendet që morën pjesë në program patën një rritje prej 15-25 për qind në prodhimin kombëtar bruto gjatë asaj periudhe.

Profesorja Hope Harrison e Universitetit George Washington thotë se Plani Marshall kishte gjithashtu edhe aspektin politik. Për të parën herë në histori, vendet evropiane u bashkuan, duke i hapur rrugën krijimit të ardhshëm të Bashkimit Evropian, një bashkim vendesh paqësore dhe demokratike që kontribuon në paqen botërore.

“Çka është më e rëndësishme, në plan thuhej se vendet e Evropës që donin të merrnin ndihmën, duhet të bashkoheshin dhe të paraqisnin një plan të përbashkët. Ato duhet t’i shprehnin qartë nevojat e tyre dhe t’i hapnin ekonomitë njëri-tjetrit, të diskutonin hapur për nevojat e tyre, t’u thoshin Shteteve të Bashkuara se cilat ishin këto nevoja, në mënyrë që ato të ndihmonin”.


Jean David Levitte, Ambasador i Francës në Shtetet e Bashkuara thotë se Evropa Perëndimore e përdori formulën e Planit Marshall për zgjerimin e suksesshëm të Bashkimit Evropian. Në të u integruan 10 anëtarë nga ish-blloku sovjetik, duke transferuar 85 miliardë dollarë për t’i ndihmuar që ato të arrinin në standardet e pjesës perëndimore të kontinentit. Anëtarët e rinj përqafuan vlerat e përbashkëta perëndimore të Demokracisë liberale, tregëtisë së lirë dhe të drejtave të njeriut.


Ambasadori Levitte thotë se procesi do të vazhdojë në gjurmët e trashëgimisë së planit Marshall, pasi Rumania dhe Bullgaria do të anëtarësohen për dy vjet në Bashkimin Evropian dhe vende të tjera pas tyre.

“Kroacia është që tani në listë. E ardhmja e vendeve të tjera të Ballkanit, si Serbia dhe Shqipëria është po ashtu tek Bashkimi Evropian. Përveç vendeve të rajonit të Ballkanit, dihet që ne kemi vendosur të fillojmë bisedimet me Turqinë”.

Bashkimi Evropian do që vlerat perëndimore të përhapen në gjithë kontinentin, përfshirë Rusinë dhe Ukrainën, tha ambasador Levitte. Por ambasadori francez shton se ndërtimi i demokracisë, paqes dhe begatisë nuk do të ndalet tek kufijtë e Evropës.

“Pikërisht këtë duam të bëjmë në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Afrikës Veriore”.

Ambasadori francez thotë se procesi i demokratizimit të rajonit ka filluar me procesin e Barcelonës. Gjatë 10 vjetëve të kaluar, Bashkimi Evropian ka dhënë nga 3 miliardë dollarë në vit, në rajonin mes Markout dhe Irakut.

Bashkimi Evropian është aktualisht i angazhuar në bisedime dypalëshe me ato vende, duke i inkurajuar njëkohësisht që të punojnë së bashku për një plan të përbashkët për rindërtim ekonomik rajonal.

Nëse shkohet pas gjurmëve të Planit Marshall të vitit 1947, lista e kërkesave të përbashkëta do t’i paraqitej Bashkimit Evropian, dhe ndoshta edhe Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara, si një plan për rindërtimin ekonomik të rajonit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.

XS
SM
MD
LG