Lidhje

Shqipëri: Projektligj për parandalimin e konfliktit të interesave


Qeveria shqiptare miratoi sot projektiligjin për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimn e funksioneve publike. Ky projektligj i cili të hënë do t'i dorëzohet parlamentit synon të shmangë përplasjen e interesave private që zyrtarë të administratës publike mund të kenë me funksionet që ata ushtrojnë si dhe përfitimet që mund të rrjedhin nga një situatë e tillë.

Çështja e konfliktit të interesave që zyrtarët e administratës shqiptare duke filluar nga ministrat deri ato të niveleve të tjera ka qenë prej kohësh një temë debatesh jo vetëm në opinion por ka shërbyer edhe si kauzë përplasjesh dhe akuzash politike. Qeveria shqiptare në mbledhjen e saj të sotme aprovoi projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesave i cili synon të shmangë përplasjen e interesave private që zyrtarë të admninistratës publike mund të kenë me funksionet që ata ushtrojnë si dhe të pengojë përfitimet që mund të rrjedhin nga një situatë e tillë.

Projektligji përcakton dhe klasifikon ato që konsiderohen si interesa private, detyrimet, standartet dhe procedurat për deklarimin e interesave si dhe mjetet për zgjidhjen e një momenti me konflikt interesash. Madje ai parashikon edhe deklarimin e paligjshëm të një akti të marrë në kushtet e konfliktit të interesit. Në projekt janë vendosur edhe sanksione që shkojnë nga gjoba deri në procedim penal. Shtrirja e tij përfshin cdo zyrtar që kryen detyra dhe ka përgjegjësi në vendimmarrje.

Për zbatimin e këtij ligji është ngarkuar Inspektoriati i lartë i deklarimit dhe kontrollit të pasurive i cili zotëron dhe të gjithë gjendjen e të ardhurave dhe aktiviteteve private të cdo zyrtari. Ky është institucioni pranë të cilit cdo funksionar i lartë i administratës është i detyruar të tregojë të gjithë gjendjen e tij financiare, të ardhurat dhe burimin e tyre, pasuritë që zotëron ai dhe familja e tij, si dhe bizneset që mund të ketë. Si i tillë ai konsideroht si organi më i përshtatshëm për të zbatuar edhe projekligjin e ri

Për hartimin e tij, shpjegoi zëdhënësi i qeverisë Aldrin Dalipi, është punuar për më shumë se një vit nga një grup i cili ka përfshirë edhe përfaqësues të institucioneve të pavaruar. Ligji do të kalojë megjithatë dhe në parlament dhe sipas deklarimeve të zotit Dalipi varianti i qeverisë
mbetet i hapur për përmirësime duke qenë se bëhet fjalë për një akt që ngërthen shumë element.

Opozita shqiptare disa herë ka akuzuar ministra të qeverisë aktuale se postet që ata kanë janë në përplasje direkte me interesat e tyre private të biznesit. Kohët e fundit kanë qenë të majtët e Lëvizjes për Integrim, forcës së kryesuar nga ish kryeministri Ilir Meta të cilët kanë kërkuar miratimin sa më të shpejtë të një ligji për konfliktin e interesave. Madje sipas tyre
nëse do të miratohet një akt i plotë për këtë cështje atëherë një pjesë e madhe e kabinetit aktual qeveritar duhet të ndryshojë.

XS
SM
MD
LG