Lidhje

Mark Grossman: Shtetet e Bashkuara nuk kanë hequr dorë nga përgjegjësia për Kosovën


Shtetet e Bashkuara duan që popujt të shkojnë drejt lirisë, demokracisë dhe të drejtave individuale. Kështu u shpreh për Zërin e Amerikës nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Mark Grossman. Kjo prirje, shtoi ai, shikohet edhe në Shqipëri, gjë që është diçka pozitive. Lidhur me zhvillimet në Kosovë, nënsekretari Grossman, tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që kur të shqyrtohet procesi i përmbushjes së standarteve para statusit, përfundimet të jenë pozitive. Zoti Grossman vlerësoi gjithashtu punën e administratorit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Soren Jesen-Petersen. Me zotin Grossman bisedoi kolegia jonë, Zamira Edwards.

Zëri i Amerikës: Shpesh zyrtarë të qeverisë së Shqipërisë vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe i dëgjojmë të bëjnë deklarata të ndryshme rreth marrëdhënieve Shtetet e Bashkuara-Shqipëri. Cili është qëndrimi i qeverisë amerikane për sa i përket përparimit të Shqipërisë në luftën e saj kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafikut të qënieve njerzore, fenomene këto që përbëjnë disa prej shqetësimeve kryesore me të cilat përballet sot Shqipëria?

Mark Grossman: Mendoj se është e qartë se ne duan që Shqipëria të jetë një vend i suksesshëm dhe në qoftë se do të shikonim disa aspekte në të cilat Shqipëria ka shënuar suksese na bën të besojmë se një gjë e tillë është e mundur. Për shembull, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë shumë në luftën globale kundër terrorizmit; Shqipëria ka marrë pjesë bashkë me ne në Afganistan dhe në Irak, këto janë gjëra të mrekullueshme dhe të rëndësishme për botën në përgjithësi. Roli që Shqipëria ka luajtur për çështjen e Kosovës është gjithashtu pozitiv.

Por Shqipëria ka përballë sfida në rrugën e saj drejt suksesit, si korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafiku njerëzor. Këto natyrisht nuk janë sfida vetëm për Shqipërinë por edhe për vende të tjera nëpër botë. Ne shpresojmë që Shqipëria si brenda vendit ashtu edhe nëpërmjet lidhjeve të saj me Evropën, me Bashkimin Evropian, me institucione të tjera t’i luftojë këto probleme, sepse secili prej tyre, korrupsoni, krimi i organizuar dhe trafiku njerëzor, janë pengesa në rrugën e saj drejt suksesit. Por fakti që Shqipëria e pranon ekzistencën e këtyre problemeve dhe është e gatshme t’i luftojë ato, tregojnë shumë për popullin shqiptar dhe ne duam të bashëpunojmë me Shqipërinë në rrugën e saj drejt suksesit.

Zëri i Amerikës: Këtë verë, në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Kanë kaluar pothuajse 15 vjet që nga rënia e komunizmit në Shqipëri dhe mbajtja e zgjedhjeve të para demokratike. Gjatë gjithë kësaj periudhe është vënë re një luftë e ashpër për pushtet, kryesisht mes dy partive të mëdha politike të vendit, Partisë Socialiste tani në pushtet dhe Partisë Demokratike të opozitës. Politikanët nga të dy palët nuk i kanë prerë asnjëherë akuzat dhe kundërakuzat ndaj njeri tjetrit. Si e shikoni ju natyrën e procesit politik në Shqipëri krahasuar me të njejtin proces këtu në Shtetet e Bashkuara?

Mark Grossman: Ajo që më duket mua e rëndësishme këtu në Shtetet e Bashkuara është se ne jemi përpjekur ta perfeksionojmë vazhdimisht demokracinë tonë gjatë një periudhe mbi 240 vjeçare, dhe ne nuk kemi një demokraci të përsosur. Por në Shtetet e Bashkura ekziston një konsensus për parimet dhe qëllimin e Amerikës. Dhe në qoftë se kemi një konsensus për objektivin që duhet të arrijmë, cili duam të jetë portreti ynë, çfarë roli duam të luajmë, dhe kur njerëzit dalin për të votuar për udhëhqësit e tyre ajo përbën angazhimin ndaj demokracisë. Unë nuk jam këtu për t’u dhënë këshilla udhëheqësve të vende të tjera, por ka mjaft shembuj të tjerë nëpër botë për të parë se çfarë është e sukseshme dhe çfarë nuk është e tillë.

Shqipëria, për shembull, do të ishte më e fortë me ekzistencën e tregut të lirë në vend, Shqipëria do të ishte më e fortë me një shtet juridik të mirëfilltë, Shqipëria do të ishte më e fortë me një transparencë politike. Udhëheqësit shqiptarë e dinë këtë dhe në fakt duhet ta vënë veten në ato pozita që të jenë me të vërtetë përfaqësuesit e vendit dhe popullit të tyre. Presidenti Bush ka thënë në disa raste, se ne jemi të duruar në këtë proces, ne e kemi të qartë se nuk mund të marrim sistemin amerikan dhe t’ia imponojmë atë Shqipërisë apo Irakut për shembull. Por ajo që ne duam është që popujt të shkojnë drejt lirisë, demokracisë, të drejtave individuale, mundësisë së njerëzve për të kontrolluar jetën e tyre. Këtë ne e shikojmë në Shqipëri si një prirje mjaft pozitive.

Zëri i Amerikës: Zoti Grossman, kanë mbetur edhe pak muaj deri në mesin e vitit 2005 kur duhet të bëhet vlerësimi i përmbushjes së standardeve për Kosovën, një afat ky që lidhet me emrin tuaj. A mund të bëni një vlerësim të përparimit që është bërë drejt përmbushjes së këtyre standardeve?

Mark Grossman: Këtu kemi të bëjmë me dy aspekte të rëndësishme. Së pari dua të vë në dukje kontributin e madh të administratorit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Soren Jesen-Petersen. Mendoj se që prej emërimit të tij në këtë detyrë zoti Petersen është përqëndruar në standartet kryesore dhe në këtë mënyrë ai ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe vetë kjo është me shumë rëndësi.

Nuk mendoj se ka njeri që të thotë se në listën e gjatë të standarteve secili prej tyre është përmbushur ose është afër përmbushjes, por mendoj se po bëhen përpjekje drejt këtij objektivi dhe ky është vlerësimi që do të bëhet në mes të këtij viti. Dua të them gjithashtu se ne nuk donim që për shqyrtimin e përmbushjes së standarteve të prisnim deri në mes të këtij viti prandaj kur shkova në Prishtinë rekomandova që Grupi i Kontaktit të mblidhej çdo 6 javë për të parë se si po ecte ky proces.

Ne kemi pasur takime me qeverinë e Prishtinës, me kryeministrin aktual dhe me atë të mëparshëm. Ne nuk duam që shqyrtimi i përmbushjes së standarteve të jetë diçka e papritur, përkundrzi ne duam që ky të jetë një dialog i vazhdueshëm. Ne jemi të angazhuar në çështjen e Kosovës dhe shpresojmë që kur ky proces të meret në shqyrtim të shihen zhvillime pozitive.
Zëri i Amerikës: Roli amerikan në zgjidhjen e çështjes së Kosovës nga shqiptarët vlerësohet si shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasyshë angazhimin e Shteteve të Bashkuara në pjesët tjera të botës, çfarë vendi zë Kosova në përparësirë e administratës së presidentit Bush?

Mark Grossman: Mendoj se një prej aspekteve më interesantë rreth Shteteve të Bashkuara është se ne jemi të aftë të bëjmë më shumë se një gjë në të njëjtën kohë. Dhe ashtu siç ne kemi parë gjatë 4 vjetëve të fundit, por edhe më parë, Shtetet e Bashkuara janë shumë të interesuara se ç’ndodh në Kosovë, ç’ndodh në Prishtinë, e në gjithë Ballkanin dhe ne kemi shpenzuar shumë kohë dhe përpjekje në çështjet e Ballkanit. Ende ka shumë anëtarë të kongresit amerikan të interesuar rreth kësaj çështjeje.
Presidenti Bush është takuar dhe ka biseduar me udhëheqës botërorë rreth çështjeve të rajonit, ndoshta ata kanë biseduar rreth këtyre çështjeve këtë javë në Evropë, megjithëse për këtë nuk kam dijeni, por ne do të vazhdojmë ta mbajmë vemendjen të përqendruar në këtë çështje.

Ne jemi anëtarë të Këshillit të Sigurimit. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është një pjesë e rëndësishme e historisë tonë dhe e historisë së Ballkanit. Nuk mendoj që njerëzit në Kosovë, në Shqipëri apo në Ballkan duhet të krijojnë përshtypjen se Shtetet e Bashkuara po u kushtojnë atyre më pak vëmendje meqë ne kemi përgjegjësi të tjera. Ballkani është gjithashtu përgjegjësia jonë.

Disa prej zhvillimeve që kanë ndodhur në rajon, si për shembull transferimi i forcës së NATO-s tek forca e Bashkimit Evropian në Bosnje-Hercegovinë, është diçka shumë pozitive; fakti që Kombet e Bashkuara luajnë një rol të rëndësishëm në Prishtë është një zhvillim pozitiv. Unë do të doja të shikoja një angazhim më të madh të vendeve evropiane në Ballkan, si për shembull angazhimi i Bashkimit Evropian si një shtyllë ekonomike në Kosovë, që siç dihet është një detyrë tepër e vështirë. Pra unë do të doja të shikoja shtimin e angazhimit të palëve të interesuara si brënda Kosovës ashtu edhe jashtë saj.

Zëri i Amerikës: Qeverinë e Kosovës e drejton kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ende i ka të pasqaruara raportet me Gjykatën e Hagës. Çfarë paraqet kjo situatë për procesin e standardeve dhe këtë periudhë nëpër të cilën po kalon Kosova?

Mark Grossman: Me rëndësi për momentin është se kundër kryeministrit Haradinaj nuk është ngritur akt-padia dhe ai është kryeministër i Kosovës. Nuk mendoj se është e dobishme të spekullohet se çdo të ndodhë kur asgjë nuk ka ndodhur. Ne kemi thënë gjithnjë që njerzit duhet të bashkëpunojnë me Gjykatën e Hagës. Kjo është me rëndësi dhe na duhet të presim se ç’do të ndodhë. Fakti është që zoti Haradinaj është kryeministër dhe ndaj tij nuk është ngritur ndonjë akt-padi.


XS
SM
MD
LG