Lidhje

Grupi i Krizave: Përparimi në Maqedoni, ende i brishtë


Në një raport të botuar sot mbi gjendjen në Maqedoni, Grupi Ndërkombëtar i Krizave thekson se përparimi i arritur në këtë vend është ende i brishtë. Procesi i decentralizimit kërkon vëmendje të madhe, ndërkohë që koalicioni qeverisës dhe partitë në përbërjen e tij duhet të zbatojnë një numër masash për rivendosjen e besimit.

Presidenti Vllado Buçkovski dhe përfaqësues të qeverisë së tij dhe opozitës u mblodhën në Bruksel më 14 shkurt për të paraqitur përgjigjet e Maqedonisë për pyetësorin e Komisionit Evropian, në kuadër të kërkesës për antarësim në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian pritet që në tetor të këtij viti të japë vlerësimin e tij.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave thekson se gjatë muajve të fundit koalicioni qeverisës ka kaluar përmes një numër krizash politike. Referendumi për riorganizimin e komunave tregoi se vendi ende kërcënohet nga nacionalistët dhe esktremistët. Megjithatë, dështimi i opozitës për të bllokuar decentralizmin forcoi mandatin e koalicionit dhe i dha Aleancës së Social-Demokratëve gjashtë muaj shtesë për të vazhduar programin e tyre, thuhet në raport.

Ndërkaq, më 13 mars zhvillohen zgjedhje vendore nga ku do të dalin ata që do të marrin në dorë zbatimin e procesit të decentralizimit. Grupi ndërkombëtar i Krizave thekson se qeveria duhet t’u ofrojë mbështetje praktike këtyre zyrtarëve dhe t’u shpjegojë qytetarëve përse dhe në ç’formë do t’i shërbejë decentralizimi përmirësimit të jetës së tyre.

Të metat në zbatimin e procesit si dhe shpresat jorealiste mund të bëhen burim për një situatë të rrezikshme, paralajmëron raporti. Koalicioni qeverisës ka një shans të ri për të kapërcyer dështimet dhe të metat e mëparshme. Me një kryeministër të ri dhe ndërkohë që ka shenja se marrëdhëniet e koalicionit po përmirësohen, tani ka ardhur koha për t’iu futur punës së qeverisjes së vendit, theksohet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave mbi gjendjen në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG