Lidhje

Historia ndikon në vendimin e Papës për të dhënë, ose jo dorëheqjen


Krizat shëndetësore të kohëve të fundit të Papa Gjon Palit të Dytë, kanë shkaktuar spekullime se ai mund të shqyrtojë mundësinë për dhënë dorëheqjen. Megjithatë shumë paraardhës të tij në histori e kanë hedhur poshtë idenë e dorëheqjes, megjithëse e kanë mundësinë ta zgjedhin një rrugë të tillë, sipas ligjit kishtar.

Disa ekspertë të Vatikanit besojnë se Papa druhet se dorëheqja mund të vendosë një precedent të rrezikshëm që mund të keqpërdoret nga fraksionet e kishës për t’i bërë presion në të ardhmen ndonjë Pape që të largohet nga detyra. Asnjë Papë nuk ka dhënë ndonjëherë dorëheqjen për shekuj me radhë. Analisti i Vatikanit, At John Wauck thotë se janë fare të pakta shanset që Papa të japë dorëheqjen.

“Mendoj se Papa do të vazhdojë të qëndrojë. Nuk mendoj se dorëheqja është një mundësi për momentin. E vetmja mundësi që Papa të japë dorëheqjen do të ishte nëse nuk është absolutisht në gjendje, për shembull nëse bie në koma. Por përsa kohë papa është i shëndoshë mendërisht dhe në gjendje të komunikojë, qoftë me shkrim, ose me ndonjë mënyrë tjetër, mendoj se ai do të mbetet Papë”.

At Wauck tha se rasti i fundit kur një Papë dha dorëheqjen ishte ai i Celestinos së pestë, nuk u prit mirë, duke shtuar se “Dante ia gjeti vendin në Ferr, së bashku me papën që e pasoi atë”. Papa Celestino V u bë Papë në vitin 1294 në moshën 85 vjeçare dhe dha dorëheqjen pesë muaj më pas, duke thënë se nuk ishte në gjendje ta kryente detyrën.

Papa Gjon Pali i Dytë vazhdimisht ka hedhur poshtë çdo spekullim, duke deklaruar se do ta vazhdojë deri në fund misionin e tij. Vendosmëria e tij konsiderohet nga shumë vetë si një shembull i fuqishëm i mësimeve katolike për vlerën e jetës, edhe në praninë e vuajtjeve të mëdha.

Por debatet për dorëheqjen e mundshme të Atit të Shenjtë qarkullojnë që prej një dekade, me keqësimin e gjendjes së tij shëndetësore. Ai ka disa vite që flet me vështirësi dhe meqë nuk rri dot as në këmbë, ndihmësit e tij e shtyjnë me një fron me rrota.

Problemet e tij shëndetësore nuk kanë penguar veprimtarinë e përditshme të Vatikanit, megjithëse vetëm Papa mund të përcaktojë politikat kryesore të kishës, si për shembull emërimin e peshkopëve.

Kardinali Angelo Sodano, zyrtari numër 2 i Selisë së Shenjtë ndezi debate publike për këtë çështje, kur papa u shtrua për herë të parë në spital në fillim të muajit kur iu përgjigj një gazetari, për mundësinë e dorëheqjes së Papës.

“Le t’ia lëmë këtë hipotezë ndërrgjegjes së Papës. Nëse ka një njeri që e do më shumë se gjithkush tjetër Kihsën, që udhëhiqet nga Shpirti i Shenjtë dhe që ka një urtësi të mrekullueshme, është Papa. Ne duhet të kemi besim të madh tek ai, pasi ai e di se çfarë të bëjë”.

Nëse Papa Gjon Pali vendos të japër dorëheqjen, formulimi i ligjit të kishës mund të shkaktojë probleme, sipas disa analistëve të Vatikanit. Dorëheqja duhet të bëhet me vullnet të lirë dhe e shprehur saktë, sipas ligjit të kishës, por nuk është e qartë nëse mund të bëhet nëse Papa është i pamundur fizikisht.

Vatikani nuk ka pranuar të komentojë zyrtarisht nëse Papa ka lënë udhëzime të shkruara në rast se bie në koma. Paraardhës të tij duket se e kanë bërë një gjë të tillë.


XS
SM
MD
LG