Lidhje

Moisiu: Ballkani është kthyer në një rajon që prodhon siguri


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, nxiti sot vendet anëtare të Kartës “Adriatik 3” që të shtojnë më tej bashkëpunimin në rrugën e përbashkët drejt anëtarësimit në NATO. Zoti Moisiu i bëri këto komente në takimin e shefave të shtabeve ushtarake të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, ku mori pjesë edhe Komandanti i Forcave Aleate në Napoli dhe Komandant i Forcave Detare Amerikane në Europë, Admirali Maikëll Mullen.

Ai theksoi se falë bashkëpunimit midis shteteve të rajonit, Ballkani është kthyer në një rajon që prodhon siguri, sepse po kuptohet më mirë që rreziqet e përbashkëta, shtojnë nevojën për bashkëveprim dhe reagim të përbashkët në parandalimin e tyre.

“Vend të rëndësishëm zënë kontributet konkrete kundër rrezikut të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, krimit të organizuar trafiqeve, apo fatkeqësive të ndryshme natyrore. Kemi lënë mbrapa periudhën kur ushtarakët tanë dhe forcat tona të armatosura, si rezultat i një politike shumë të gabuar, përgatiteshin të ndesheshin me njëra- tjetrën”, tha zoti Moisiu.
Presidenti Moisiu theksoi se vendet e Kartës “Adriatik 3” po japin një kontribut të çmuar në misione paqëruajtëse dhe në koalicionin kundër terrorizmit ndërkombëtar, i cili kryesohet nga SHBA.

Sipas tij, Shqipëria po shton misionin e vet me pjesëmarrjen e një ekipi mjekësor në Afganistan, dhe populli ruan aspirata të forta euroatlantike. Ai tha se rajoni meriton një të ardhme tjetër nga e kaluara, ku dialogu, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të afrojnë më shumë njerëzit dhe kulturat, dhe Shqipëria rikonfirmon gadishmërinë e saj për të mbështetur më shumë paqe, siguri e qëndrueshmëri në Ballkan.

Zoti Moisiu vlerësoi mbështetjen që SHBA dhe Presidenti Bush u dha aspiratave integruese në NATO të tre vendeve të Kartës së Adriatikut edhe gjatë vizitës së fundit në Bruksel. Ai tha se NATO është bërë një mbrojtëse e fuqishme e paqes, demokracisë dhe stabilitetit në Europë dhe rajone të tjera.

Ai theksoi se rajoni i Ballkanit ka më shumë arsye për të besuar në aspiratat euro-atlantike. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë dhe mbrojtja që ajo i jep paqes dhe sigurisë, janë për shqiptarët një nxitje për të çuar më përpara reformat e nisura demokratike.

Karta “Adriatik 3” u nënshkrua 2 vjet më parë mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, si një marrëveshje bashkëpunimi mes këtyre vendve që aspirojnë një anëtarësim sa më të shpejtë në Aleancën Atlantike.

XS
SM
MD
LG