Lidhje

Shpresa për trajtimin e depresionit dhe epilepsisë


Për mjekësinë ka qenë i njohur fakti se njerëzit që vuajnë nga çrregullime epileptike në tru ndjejnë edhe simtoma të tjera. Ata janë më të ndjeshëm edhe ndaj depresionit sesa të tjerët. Nga ana tjetër gjithmonë e më shumë prova tregojnë se edhe e kundërta është e vërtetë. Njerëzit që kanë një histori depresioni e kanë më të lehtë të zhvillojnë sëmundje epileptike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës David McAlary njofton se pritet që zbulimet të sjellin metoda më të mira për të trajtuar të dyja sëmundjet.

Organizata Botërore e Shëndetsisë përllogarit se rreth 50 milionë njerëz në botë vuajnë nga epilepsia, e cila praktikisht është mbingarkesë e një aktiviteti elektrik që zhvillohet periodikisht në tru dhe shkakton humbje ndjenjash dhe lëvizje të pakontrolluara. Studimet tregojnë se numri i atyre që vuajnë nga epilepsia në vendet në zhvillim është dy herë më i madh duke u krahasuar me vendet e industrializuara.

Lidhja e epilepsisë me depresionin është vënë re shekuj më parë. Hipokrati, fizikan i Greqisë së lashtë, 1700 vjet më parë, kishte vënë re se epileptikët shndërohen në melankolikë. Me të vërtetë epileptikët vuajnë nga depresioni jo vetëm më shumë sesa njerëzit e shëndoshë, por edhe sesa njerëzit me sëmundje kronike si për shembull diabeti. Si rezultat shkencëtarët e kanë konsideruar depresionin si një komplikim të epilepsisë.

Neurologu Andres Kaner i qendrës mjekësore të Shën Lukës në Nju Jork thotë se lidhja midis dy sëmundjeve zhvillohet edhe në drejtim të kundërt.

“Të dhëna nga studime të bëra në Suedi dhe në Universitetin Kolumbia në Shtetet e Bashkuara, tregojnë se në fakt njerëzit me depresion, duke u krahasuar me ata normalë, janë 3 deri në 7 herë më shumë në rrezik për të kaluar në epilepsi.”

Në një konventë të Shoqatës Amerikane për Zhvillimin e Shkencës, të zhvilluar në Uashington kohët e fundit, Z. Kaner shpjegoi.

“Kjo lidhje e dyfishtë midis depresionit dhe epilepsisë ndoshta shpjegohet me faktin se tek të dy sëmundjet mund të veprojnë mekanizëma biologjikë të përbashkët.”

Këta mekanizëma përfshijnë çrregullime në strukturat e trurit të quajtura vrigulli ballor dhe tëmblor, të cilat sipas skanografive të bëra në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe në Evropë kanë tendencë të mblidhen nga epilepsia dhe depresioni.”

“Kështu që nuk është depresioni që shkakton epilepsinë apo anasjelltas, por këto dy sëmundje kanë të njëjtat çrregullime, prandaj në praninë e njërës krijohen kushtet për t’u zhvilluar tjetra.”

Ky këndvështrim i ri i lidhjes midis depresionit dhe epilepsisë, nxit përpjekjet për gjetjen e ilaçeve të përbashkëta në përmirësimin e kurës së dy sëmundjeve. Filip Xhob, farmakologjist nga Universiteti i Illinoit thotë:

“Ne kemi zbuluar një fenomen i cili ka hapur një fushë krejt të re terapeutike. Me të dhënat e reja ne kemi mundësinë të krijojmë trajtime mjekësore më efektive të cilat mund të përdoren tek moshat e reja duke u dhënë kështu mundësinë njerëzve të mos ndjejnë më kurrë simtomat e depresionit dhe epilepsisë.”

Nga studimet e bëra theksohet se depresioni kërkon një kurë agresive sepse pacientët me këtë lloj sëmundje janë tre herë më shumë në rrezik ndaj paralizës, diabetit, krizave të zemës dhe Parkinsonit.










XS
SM
MD
LG