Lidhje

Sharon kërcënon të pezullojë përpjekjet e paqes


Kryeministri izraelit Ariel Sharon kërcënoi se do t’i pezullojë përpjekjet e paqes me palestinezët, nëse ata nuk marrin masa kundër grupeve ekstremiste.

Zoti Sharon i bëri thirrje Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas që të veprojë energjikisht kundër grupeve ekstremiste. Zoti Sharon tha sot se elementë me bazë në Siri të grupit palestinez Xhihadi Islamik janë përgjegjës për shpërthimin vetëvrasës të ditës së premte pranë një klubi nate në TelAviv.

Shpërthimi shkaktoi vdekjen e 4 izraelitëve, plagosjen e dhjetëra të tjerëve dhe tronditi një marrëveshje jozyrtare armëpushimi izraelito-palestineze, të filluar para dy javësh.

Zoti Sharon fajëson elementët e organizatës ekstremiste Xhihadi Islamik në Siri për sulmin me bombë, por thotë se ky fakt nuk e shfajëson Autoritetin Palestinez nga përgjegjësia për të ndjekur terroristët.

Duke folur para mbledhjes të së dielës të kabinetit izarelit, zoti Sharon tha se prova për Autoritetin Palestinez do të jetë në faktin se sa energjikisht do të veprojë ai kundër Xhihadit Islamik. Ai tha se Izraeli është i interesuar ta çojë përpara procesin e paqes me palestinezët, por paralajmëroi se nuk do të bëhet përparim, deri sa palestinezët të ndërmarrin veprime të fuqishme kundër terroristëve.

Kryeministri izarelit tha gjithashtu se Izraeli ka treguar vetëpërmbajtje kohët e fundit për ta lehtësuar përparimin e paqes, por tha se në se palestinezët nuk fillojë të marrin masa energjike, atëhere këtë gjë do ta bëjë Izraeli. Presidenti palestinez Mahmud Abbas ka thënë se ai nuk do t’i drejtojë armët kundër popullit të tij, duke preferuar t’i sjellë grupet e armatosura në procesin politik. Zoti Abbas ka fajësuar, atë që ai e quajti ”palë e tretë”, që përpiqet të sabotojë përpjekjet e paqes.

Policia palestineze ka arrestuar disa persona me lidhje me organizatën Xhihadi Islamik pas sulmit me bombë. Siria i hodhi poshtë menjëherë akuzat e Izraelit, sipas të cilave zyra e Xhihadit Islamik në Damask është mbyllur. Ndërsa agjencia e lajmeve Reuters citon një zyrtar të Ministrisë së Jashtme siriane, të paidentifikuar, të ketë thënë se Damasku e mbështet procesin e paqes së palsetinezëve me Izraelin, dhe se sulmi me bombë i së premtes bie në kundërshtim me politikën e tij.

XS
SM
MD
LG