Lidhje

Plakja e popullsisë në botë


Gjatë disa dekadave të fundit, popullsia e botës ka kaluar nëpër një rënie të paparë të ritmit të lindjeve. Njerëzit, si në vendet e pasura edhe në ato të varfëra po lindin më pak fëmijë dhe kjo, paralajmërojnë demografët, mund të çojë në rëndimin e problemit të plakjes së popullatës në shkallë botërore. Në pjesën e parë të një serie materialesh për këtë problem, ne do të shikojmë arësyet e kësaj rënieje. Do të flasim gjithashtu për Kinën, e cila dikur përballej me krizën e mbipopullimit ndërsa tani ka një popullatë që po plaket ndoshta më shpejt se në çdo vend tjetër.

Për qindra vjet me radhë, popullsia e botës është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Por tani demografët besojnë se brenda disa dekadave, numri i njerëzve në botë do të fillojë në fakt të bjerë. PHIL LONGMAN: "Tani ne shikojmë se në shumë vende ka një rënie aq të shpejtë në ritmin e lindjeve, saqë mund të quhet e paparë në historinë njerëzore.

Phil Longman është demograf pranë organizatës Fondacioni i Ri i Amerikës, me qendër në Uashington. Zoti Longman thotë se kudo në botë njerëzit po bëjnë gjithnjë e më pak fëmijë.

"Kjo nënkupton se vende të tillë si Kina, për shembull, do të plagen brenda një dekade të vetme po aq sa është plakur Franca gjatë 150 vjetëve."

Kjo rënie e paparë në ritmin e lindjeve ka ardhur kryesisht nga vendet në zhvillim. Sektori i OKB-së për Popullatën, thotë se në vitet 70, çdo grua në vendet në zhvillim lindëte mesatarisht rreth 6 fëmijë. Nga fundi i viteve 90, rutmet ranë në rreth 3,9 fëmijë për grua. Ritmet e lindjeve ranë të gjithë vendet në zhvillim me përjashtim të 4 prej tyre.

Demografët thonë se kjo rënie shpjegohet me shumë arësye. Gjatë disa dekadave të kaluara, njerëzit kanë përdorur më shumë mjete kontraceptive dhe i kanë shtyrë më shumë martesat. Gratë kanë patur më tepër mundësira për edukim dhe për punë. Por demografi Longman thotë se mbi të gjitha, rënia e ritmit të lindjeve është shkaktuar nga lëvizja e shpejtë e njerëzve nga fshati në qytete.

"Ne jemi tani në pragun e një situate të tillë ku gjysma e popullsisë së botës jeton në zona urbane dhe ku logjika ekonomike e rritjes së fëmijëve është mjaft e ndryshme. Kur rrit një fëmijë në një apartament, ai bëhet barrë ekonomike, ndryshe nga ç’ndodh kur rrit një fëmijë në fshat, i cili në këtë rast është një ndihmë për familjen."

Demografët thonë se vendet e varfëra mund të përfitojnë nga rënia e nivelit të lindjeve. Familjet kanë më pak fëmijë për të rritur kështu që prindërit do të kenë më shumë para për të investuar. Ana negative e kësaj është se pjesa e popullatës mbi 65 vjeç fillon të shtohet. Pjesa e re dhe aktive e popullatës tkurret dhe i duhet të përpiqet më shumë për t’u kujdesur për të moshuarit.

Sipas shumë analistëve, demografia e një popullate përcakton fatin e saj. Kjo është e vërtetë sidomos për Kinën - vendin më të populluar të botës. Në fillim të viteve 70, çdo grua në Kinë kishte mesatarisht 5,7 fëmijë. Në vitin 1979, qeveria kineze imponoi një politikë për ta mbajtur nën kontroll rritjen e pakufizuar të popullatës. Kjo politikë solli si rrjedhojë faktin që sot një grua në Kinë ka mesatarisht 1,4 fëmijë.

Jo shumë kohë më parë ekzistonte frika se rritja e madhe e popullatës do t’ia kalonte shtimit të rezervave ushqimore duke shkaktuar uri dhe fatkeqësi të tjera. Richard Jackson, pranë Qendrës së Studimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, thotë se tani, rënia e rtimit të lindjeve dhe plakja e popullatës po krijon një bombë të re demokrafike që mund të shpërthejë në çdo kohë.

Ai thotë se në vitin 2040, në Kinë do të ketë 400 milion të moshuar. Në Kinë, shumica e popullatës nuk ka pensione apo sigurime shëndetësore, prandaj të moshuarit do të varen ekonomikisht nga fëmijët, të cilët shpesh i quanë perandorë të vegjël.

"Perandorët e vegjël të sotëm, të cilët janë fëmijë mjaft të përkëdhelur, do të shikojnë kur të rriten, se barra e mbajtjes së prindërve është tepër e rëndë. Një familje tipike e së ardhmes, sidomos në qytete, do të ketë 4 gjyshër, dy prindër dhe një fëmijë."

Me fjalë të tjera, Kina po plaket para se të pasurohet. Dhe ajo nuk është e vetme. Rënia e lindjeve po i vë para sfidash të ngjashme vende të tillë në zhvillim si Indonezia dhe Brazili. Mënyra se si ato do t’u përgjigjen këtyre sfidave mund të ketë ndikime serioze në stabilitetin e këtyre vendeve në shekullin e 21-të.

XS
SM
MD
LG