Lidhje

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi të drejtat e njeriut


Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin e tij të përvitshëm mbi të drejtat e njeriut, duke cituar shkelje në një numër vendesh përfshi Sudanin, Kinën, Sirinë dhe Arabinë Saudite. Në raportin për gjendjen e të drejtave të njeriut në vitin 2004, të bërë publik sot në Uashington, thuhet se në disa vende ka patur zhvillime dramatike, pozitive dhe arritje të rëndësishme. Më poshtë po japim një përmbledhje të pjesëve të raportit ku flitet për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.

Në pjesën për Shqipërinë, raporti thotë se gjatë vitit 2004 nuk pati vrasje politike, por forcat e rendit shkaktuan vdekjen e një 17 vjeçari si pasojë e rrahjes nga policia. Vendi vazhdoi të përjetojë nivele të lartë të krimit të dhunshëm. Shumë nga vrasjet ishin pasojë e veprimeve të vetgjyqësisë, e hakmarrjes, apo e konflikteve midis bandave kriminale. Kushtetuta shqiptare e ndalon torturën, megjithatë në disa raste policia rrahu ose torturoi personat e dyshuar. Gjatë vitit pati njoftime për rrahje të protestuesve nga policia. Kushtet në burgje dhe në qendrat e paraburgimit vazhduan të jenë të këqia megjithë përpjekjet e qeverisë për zgjidhjen e problemeve të tilla si mbingarkesa e burgjeve.

Gjatë vitit 2004, thuhet në raport, pati raste kur policia bëri arrestime arbitrare. Korrupsioni vazhdoi të jetë problem midis forcave të policisë, problem i cili është rënduar për shkak të pagave të ulta si dhe korrupsionit të përhapur në shoqëri.

Duke folur për gjykatat dhe drejtësinë, në raportin e departamentit amerikan të shtetit thuhet se për shkak të presioneve politike, frikësimeve, korrupsionit të përhapur, rryshfeteve dhe fondeve të pamjaftueshme, një pjesë e mirë e gjyqësorit nuk nuk ishte në gjendje të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efikase. Burimet e kufizuara materiale, mungesa e vendit dhe mbingarkesat në shumë raste nuk i kanë lejuar gjykatat ti shqyrtojnë në kohë çështjet gjyqësore.

Për sa i përket mjeteve të informimit, në raport thuhet se në Shqipëri pati probleme serioze në aspektin e përdorimit të medias për qëllime politike. Gazetarët vazhduan të praktikojnë vet-censurën dhe në financimin e mjeteve të informimit pati pak transparencë. Megjithatë, thuhet në raport, ndryshe nga vitet e tjerë, kundër gazetarëve nuk u përdor dhunë fizike. Korrupsioni mbeti një pengesë e madhe për reformat në vend.

Gjatë vitit 2004, prokuroria mori në shqyrtim 376 raste korrupsioni të zyrtarëve, por nuk u dha ndonjë dënim i rëndësishëm. Në raport thuhet gjithashtu se dhuna kundër grave vazhdoi të jetë një problem i rëndë. Megjithëse kushtetuta e ndalon prostitucionin, thuhet në raport, ky fenomen ishte një problem. Po kështu problem ishte edhe trafiku i grave dhe i fëmijëve. Gjithashtu, problem ishte edhe ndërlikimi i policisë në këtë lloj trafiku. Megjithatë, thuhet në raport, trajtimi nga policia i vajzave të trafikuara vazhdoi të përmirësohet.

Në pjesën e raportit për Kosovën, thuhet se problemi më i rëndë i të drejtave të njeriut atje ishte diskriminimi i përhapur shoqëror dhe ngacmimet ndaj anëtarëve të pakicave, sidomos ndaj serbëve.

Në raport thuhet gjithashtu se rreth 3,200 persona vazhduan të konsiderohen të zhdukur që nga konflikti i vitit 1999. Prej tyre 77 përqind janë shqiptarë, 17 përqind serbë dhe 6 përqind nga grupet e tjera etnike. Në raport thuhet gjithashtu se ndonëse korniza kushtetuese parashikon një gjyqësor të pavarur, gjykatat kanë qenë disa herë objekt njëanshmërie dhe ndikimi të jashtëm dhe jo gjithmonë proceset kanë qenë të drejta.

Përgjithësisht, UNMIK-u, KFOR-ri dhe qeveria e respektuan në praktikë lirinë e fjalës dhe të shtypit, por ka patur edhe akuza për ndërhyrje në këtë aspekt si nga UNMIK-u ashtu edhe nga KFOR-i, simodos gjatë dhunës së marsit 2004.

Në raport thuhet gjithashtu se tensionet ndëretnike dhe shqetësimet për sigurinë, në praktikë e kufizuan lirinë e lëvizjes dhe përgjithësisht, UNMIK-u, KFOR-i dhe qeveria dështuan në përpjekjet për të mbrojtur këto të drejta për pjestarët e pakicave. Ndërkohë, thotë raporti, ka patur një perceptim të përhapur në publik për korrupsion si në qeveri ashtu edhe në UNMIK. Raporti thotë gjithashtu se dhuna kundër grave si dhe dhuna në familje mbeti një problem serioz në Kosovë.

Po kështu edhe trafiku i grave dhe fëmijëve. Në pjesën e raportit për Maqedoninë thuhet se gjatë vitit 2004 atje nuk ka patur vrasje politike, megjithatë, forcat e sigurimit vranëtë paktën 4 persona. Media, thuhet në raport, nuk ishte krejtësisht e pavarur, sepse disa mjete të komunikimit ishin të lidhura ngushtë me interesa politike dhe një pjesë e informacioneve jepeshin nga një këndvështrim politik.

Gjatë vitit 2004, korrupsioni ishte problem në degën ekzekutive dhe legjislative të qeverisjes. Korrupsioni Shtetëror kundër Korrupsionit, përgjegjës për hetimin e akuzave të paraqitura nga qytetarët, gjatë vitit 2003 nisi 15 hetime. Prej tyre, 5 çështje përfunduan me rekomandime për hetime të mëtejshme ose procese gjyqësore, 5 u zgjidhën pa procedura të mëtejshme dhe 5 të tjera u pezulluan në pritje të informacioneve.

Në Parlamentin e Maqedonisë prej 120 vendesh, thotë raporti, ka 23 gra, 21 prej të cilave maqedonase dhe dy shqiptare. Gratë në disa pjesë të komunitetit shqiptar, thuhet në raport, nuk patën të drejta të barabarta për punësim dhe edukim, kyesisht për shkak të kufizimeve tradicionale dhe fetare. Kushtetuta parashikon të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, megjithatë diskriminimi shoqëror ndaj pakicave etnike vazhdoi dhe mbrojtja e të drejtave të grave mbeti problem. Problem gjatë vitit 2004 ishte edhe trafikimi i grave për shfrytëzim seksual.

Në disa raste të izoluara, policia u bë bashkëfajtore në trafikun njerëzor. Marrëdhëniet ndëretnike mbetën të ndera dhe këto tensione qenë të dukshme gjatë gjithë vitit. Gjatë fushatës për referendumin, kufijtë e rinj midis komunave quheshin shpesh ”ndarje territoriale”. Mitingjet pro-referendumit karakterizoheshin shpesh nga tonet nacionaliste, megjithëse ato ishin përgjithësisht paqësore.

XS
SM
MD
LG