Lidhje

Shtëpia e Bardhë përshëndet dorëheqjen e kryeministrit libanez


Administrata e presidentit Bush e mirëpriti dorëheqjen e kryeministrit pro-sirian të Libanit, Omar Karami.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan thotë se Shtetet e Bashkuara po i vëzhgojnë nga afër ngjarjet në Bejrut. Ai thotë se dorëheqja e kryeministrit Omar Karamit është një shans i madh për ndryshim në Liban. "Dorëheqja e qeverisë së zotit Karami është një rast i mirë për popullin libanez për të patur një qeveri të re, përfaqësuese e vërtetë e popullit libanez", tha zoti McClellan.

Kryeministri libanez e bëri të njohur vendimin e tij mes shkallëzimit të protestave kundër qeverisë së tij në rrugët e Bejrutit. Zoti McClellan u tha gazetarëve se populli libanez e ka ngritur zërin dhe mesazhi i tij është i qartë. "Ajo që po shohim sot në Liban, është se populli libanez po tregon qartë dëshirën për një të ardhme të lirë dhe të pavarur për vendin, një të ardhme të lirë nga ndërhyrja e jashtme".

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se qeveria e re do të përgatisë kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve kombëtare. Ai tha se këto zgjedhje duhet të zhvillohen sipas Kushtetutës libaneze dhe të mos ndikohen nga trysnia e huaj. "Kjo do të thotë që forcat ushtarake siriane dhe personeli sirian i zbulimit duhet të largohen nga vendi. Kjo do të ndihmojë që në Liban të zhvillohen zgjedhje të drejta dhe të lira".

Dorëheqja dramatike e qeverisë së zotit Karami ndodh vetëm dy javë pas vrasjes së ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri. Vrajsa shkaktoi protesta të fuqishme në radhët e opozitës në Beirut, në të cilat mijëra demonstrus kërkuan një qeveri të re, si dhe tërheqjen e 14 mijë trupave siriane nga Libani.

XS
SM
MD
LG