Lidhje

Programi i FMN-së për reduktimin e varfërisë në Shqipëri


Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përfunduar rishikimin e pestë të programit tre vjeçar me Shqipërinë për reduktimin e varfërisë dhe të rritjes ekonomike dhe lëvrimin e një kësti të ri prej mbi 6 milion dollarësh. Sipas njoftimit të shpërndarë nga përfaqësia Fondit Monetar në Tiranë, Bordi ekzekutiv ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë gjatë vitit të tretë duke theksuar se edhe gjatë këtij viti rritja ekonomike pritet të mbetet solide dhe në afatin e mesëm e mbështetur gjithnjë e më shumë nga produktiviteti dhe përfitimet nga tregtia e jashtme

Që prej vitit 2002 mes Shqipërisë dhe Fondit Monetar ekziston një marrëveshje për atë që njihet si programi për reduktimin e varfërisë dhe rritjes ekonomike, me një vlerë totale prej rreth 42 milion dollarë. Ky është programi me interesat më të ulta që zbatohet nga Fondi Monetar për vendet me të ardhura të pakta. Zyra e këtij institucioni në Tiranë njoftoi sot vendimin e marrë mbrëmë nga Bordi Ekzekutiv i cili ka përfunduar rishikimin e pestë të këtij programi dhe ka miratuar lëvrimin e një tjetër kësti prej 6.1 million dollarësh.

Zëvendësdrejtorja ekzekutive e Bordit Anne O Krueger është shprehur e kënaqur me ecurinë e Shqipërisë gjatë vitit të tretë. Ajo ka theksuar se rritja ekonomike ka qenë e qëndrueshme, inflacioni në përgjithësi i ulët dhe monedha vendase leku është forcuar duke pasqyruar kështu rritjen e besimit. Edhe për këtë vit Fondi Monetar parashikon që rritja ekonomike të vazhdojë të ruajë qëndrueshmërinë e saj dhe në afatin e mesëm, e mbështetur gjithnjë e më shumë nga produktiviteti dhe përfitimet nga tregtia e jashtme.

Por zonja Krueger ka theksuar se që të mbahet ky nivel rritjeje ekonomike do të duhen përmirësime domethënëse në infrastrukturë dhe në klimën e investimeve, duke përfshirë këtu reforma që forcojnë qeverisjen, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë dhe zbatimin e ligjit. Fondi Monetar është shprehur se sektori financiar është bërë gjithnjë e më dinamik pas privatizimit të Bankës së kursimeve dhe ka njoftuar se së shpejti do të ndërmerret një vlersim për këtë sektor i cili do të ndihmojë për të hartuar rrugën e reformave të mëtejshme dhe për të ngritur aftësitë mbikqyrëse.

Programi tre vjeçar me Fondin Monetar është drejt përfundimit. Qeveria shqiptare ka kërkuar zgjatjen me 5 muaj të tij, gjë e cila është pranuar nga pala shqiptare. Gjithashtu, Fondi Monetar ka bërë dhe një vlerësim të të gjitha programeve që ka patur me Shqipërinë, në bazë të të cilit lihet e hapur rruga për fillimin e një programi të ri, i cili do të përcaktohet në bazë edhe të kërkesës së palës shqiptare e cila paraprakisht preferon të mos vazhdojë me atë që po zbatohet aktualisht. Pala shqiptare ka kërkuar gjithashtu që të ketë një fleksibilitet më të madh përsa i takon edhe huamarrjes me kredi tregtare.

XS
SM
MD
LG